Shqipëri, Zaçaj zgjedhet kryetare e Gjykatës Kushtetuese
Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, zgjodhi sot, në raundin e tretë të votimit, kryetaren e re të saj, Holta Zaçajn, e cila mori një shumicë prej 5 votash.
Ajo vihet në drejtimin e Gjykatës, pas vetëm më pak se një muaj eksperiencë si anëtare e saj, dhe me një mandat të cunguar.
Sipas ligjit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ka një mandat trevjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Por Zaçaj, nuk do të mund ta ushtrojë të plotë mandatin e fituar sot, pasi në vitin 2025, asaj i përfundon mandati si anëtare e Gjykatës.
Ajo u zgjodh si e tillë në janar, duke marrë pjesën e mbetur të mandatit të Vitore Tushes, e vetmja, nga anëtarët që i mbijetoi procesit të vettingut, dhe qëndroi në detyrë deri në plotësimin e Gjykatës me të 9 anëtarët e saj të rinj.
Në garë për kreun e Kushtetueses ishin dhe dy anëtare të tjera të gjykatës, Fiona Papajorgji dhe Mariana Semini. Në dy raundet e para asnjë prej emrave në garë, nuk kishte marrë shumicën e kërkuar prej të paktën 5 votash.
Zaçaj, 47 vjeçe, vjen nga sistemi i avokaturës, me një angazhim dhe si eksperte ligjore, kryesisht në fushën e së drejtës familjare dhe asaj të fëmijëve.