Shqipëria armatoset me raketa
Qeveria e Shqipërisë ka konfirmuar sot se së shpejti do të blejë raketat “Jevelin” si armë anti-tank për ushtrinë shqiptare.
Raketat amerikane anti tank “Javelin”, do të jenë shumë shpejt pjesë e armatimit të ushtrisë shqiptare.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi konfirmoi në emër të qeverisë armatosjen me raketat që kanë shkatërruar pjesën dërmuese të tankeve ruse në Ukrainë.
“Është në kuadrin e modernizimit të FA, rritjes së kapaciteteve tona, plotësimit të objektivave që Shqipëria ka në raport me NATO-n. Sistemi raketor antitank “Javelin” po prodhohet nga kompania amerikane, më e madhja në botë e industrisë ushtarake Lockheed Martin dhe ne kemi bërë porosinë tonë aty si pjesë e rrugëtimit tonë për forcimin e FA, modernizimit, rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes territoriale të vendit tone. Nuk është se ka ndonjë kërcënim konkret qe mos të krijojmë panik, ne jemi një vend në NATO, ne kemi zgjidhur çështjen e sigurisë kombëtare, jemi të mbrojtur, sepse na mbron neni 5 i traktatit të NATO-s, sipas të cilit hapësira e NATO-s është e paprekshme, por ne natyrisht do të vazhdojmë të ndjekim ritmin e NATO-s për t’u forcuar si pjesë e një aleance defensive”, u shpreh ministri Peleshi