“Shqipëria Big-Brother” rikthehet plani për të instaluar kamera në çdo zonë publike, ka dhe dronë
Shqipëria do të kthehet në “Big Brother” dhe do të jetë nën monitorimin e Turqisë. Kjo është një nga pikat e diskutuara në Turqi, në vizitën dy ditore që po zhvillon kryeministri Edi Rama bashkë me ministrat që ka zgjedhur, një plan ky që në vitin 2015, kur ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri na prezantoi me nismën, Tirana si Londra.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në një intervistë për Top Channel nga Ankaraja, tha se kontrolli i territorit me anë të droneve dhe ÇTV, pra kamerave të vendosura kudo, është një nga pikat që është diskutuar në Turqi. Sipas Ballukut, Turqia e ofron këtë shërbim në shumë vende të tjera dhe e ka në një nivel mjaft të avancuar.
“Kjo është një vizitë në vazhdim të marrëveshjes që kemi nënshkruar në janar me qeverinë turke dhe për të gjitha projektet që kanë nisur prej asaj kohe në disa fushe si shëndetësia, pjesë e kësaj pakete është dhe spitali rajonal i Fierit dhe vaksinat që kanë ardhur gjatë gjithë kohës. Lajmi i mirë është se gjatë takimit të sotëm ka pasur zhvillim tjetër duke qenë se kjo kompani planifikon të hapë një fabrikë në Shqipëri për prodhimin e medikamenteve dhe vaksinave. E rëndësishme është që një pjesë e projekteve kanë nisur dhe një pjesë e projekteve të parashikuara muajt me vijim. Sot gjatë takimeve kemi pasur shkëmbim të mendimeve dhe projekteve me disa kompani ekselence të Turqisë.
Sa i përket projekteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, po i referohem kontrollit të territorit me anë të droneve dhe ÇTV, pra kamerave të vendosura kudo, por Turqia që ofron shërbime në shumë vende të tjera e ka mjaft të avancuar këtë shërbim. Një nga këto projekte parashikohet të jetë kontrolli i territorit dhe i trafikut të jetë me anë të droneve dhe kamerave që do të vendosen në të gjithë territorin shqiptarët. Nuk lihen mënjanë projekte të tjera si rikonstruksioni dhe projekte që janë të lidhur me binjakëzimin e universiteteve. Të gjitha këto angazhime që kemi marrë gjatë marrëveshjes 2 palëshe në janar, disa kanë nisur dhe të tjera do të nisin së shpejti,”- tha Balluku.
Në vitin 2015, gjatë inaugurimit të repartit të ri të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Vaqarr të Tiranës, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri foli për një sistem kamerash sigurie që do të instaloheshin në rrugë. Tirananews.