Shqipëria dëbon dy diplomatë rusë
Menjëherë pas publikimit të lajmit se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Shqipërisë të dëbojë diplomatët rusë, për shkak të çështjes së helmimit të ish-spiunit rus në tokën britanike, ka ardhur edhe reagimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Përmes një deklarate për mediet, MEPJ-ja ka njoftuar se këtë të hënë, ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Aleksandër Karpushin, është thirrur në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
“Aty, atij iu komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”, thuhet në deklaratë, raporton “Top Channel”.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve rusë pas helmimit të ish-spiunit rus në Britaninë e Madhe. Shtetet e Bashkuara urdhëruan gjithashtu mbylljen e Konsullatës ruse në Seattle, sipas agjencisë “Reuters”.
Në SHBA, 48 diplomatë rusë thuhet se strehohen në Ambasadën e Federatës Ruse, ndërsa të tjerët janë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.