Shqipëria dënon aneksimin e katër rajoneve ukrainase nga Rusia
Shqipëria ka dënuar aneksimin e katër rajoneve ukrainase nga Rusia. Përmes një njoftimi për medie ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka bërë me dije se nuk do t’i njohë rezultatet e paracaktuara në këto zona.
“Shqipëria dënon referendumet e rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainë dhe nuk do të njohë rezultatet e tyre të paracaktuara. Çdo aneksim i territorit të një shteti nga një shtet tjetër, që vjen si pasojë e kërcënimeve ose nga përdorimi i forcës është shkelje e parimeve të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar”, është thënë në reagimin e qeverisë shqiptare.
Pas referendumeve të rreme të zhvilluara në katër rajonet e Ukrainës, presidenti rus, Vladimir Putin, ka njohur rezultatet e referendumeve.
Të katër rajonet formojnë një rrip të rëndësishëm tokësor midis Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014.
Putini shpall katër rajonet e Ukrainës territor të Rusisë