Shqipëria dhe Mali i Zi: Nuk ka tela me gjemba për emigrantët
Shqipëria dhe Mali i Zi do të sillen në mënyrë humane dhe të përgjegjshme ndaj emigrantëve që lëvizin përgjatë rrugës që përfshin dy vendet, porse nuk do të ndërtojnë mure e as nuk do të ngrenë tela me gjemba, kanë deklaruar kryeministrat e të dyja vendeve, Edi Rama dhe Dushko Markoviq.
Ata këto komente i kanë bërë pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që është mbajtur në Shkodër.
“Në rast të valës së emigrantëve, jemi të gatshëm të pranojmë barrën dhe përgjegjësitë brenda projektit evropian për shpërndarjen e barrës. Nuk do të bëhemi vend i rrethojave dhe mureve, por as shpëtimtarë të vendeve të pasura që i trajtojnë emigrantët si mbetje toksike”, ka thënë Rama.
Në përpjekje për të frenuar emigrantë të rinj, udhëheqësit e BE-së kanë diskutuar idenë për ngritjen e kampeve të emigrantëve, jashtë bllokut, ku do të përpunoheshin kërkesat për azil.
Thuhet se në plan janë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se varet nga to nëse do të pranojnë ose jo.
Rama dhe Markoviq po ashtu kanë theksuar se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi janë padyshim të mira dhe se ato duhet të thellohen përmes bashkëpunimit edhe më të fuqishëm ekonomik.