Shqipëria do ta fillojë në janar regjistrimin e diasporës për zgjedhjet e majit

16 dhjetor 2024 | 15:54

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, njoftoi të hënën se më 11 janar pritet të jetë funksionale platforma elektronike, ku rreth 1 milion mërgimtarë shqiptarë mund të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj dhe diaspora shqiptare do të votojë për herë të parë në to.

Duke raportuar para nënkomisionit të Kuvendit për Diasporën dhe Migracionin, Celibashi theksoi se procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë ka shkuar “sipas të gjitha parashikimeve” me Kodin Zgjedhor. “Komisioni Rregullator pranë KQZ-së ka miratuar thuajse të gjitha aktet kryesore me qëllim realizmin e votimit nga jashtë. Para Krishtlindjeve do të kemi një demonstrim të funksionaliteteve të këtij sistemi me qëllim që, në datën 11 janar, kjo platformë të jetë funksionale”, tha Celibashi.

Kreu i KQZ-së tha se testet do bëhen në prani të organizatave të huaja, shoqërisë civile, palëve politike dhe garantoi “100 për qind siguri” për këtë proces.

I pyetur nga deputetët nëse do të finalizohet ky proces para datës së zgjedhjeve, Celibashi tha se është “plotësisht e realizueshme”.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi në fund të korrikut disa ndryshime në Kodin Zgjedhor që mundësojnë votën e emigrantëve.

Vota do të dërgohet me postë dhe tarifa do të mbulohet nga shteti shqiptar.

Celibashi tha se janë mbi 1 milionë votues nga jashtë, por ngriti shqetësimin se një numri të madh imigrantësh u kanë skaduar dokumentet e identifikimit, ose mund t’u skadojnë ditën e zgjedhjeve.

Ai kërkoi që të merren masa nga Qeveria shqiptare për ta shtyrë vlefshmërinë e këtyre dokumenteve sikurse ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2021.

Sipas një raporti të Institutit të Statistikave në vitin 2020, numri i asaj që njihet si “diaspora e re”, apo imigrantët e larguar gjatë viteve ‘90 nga Shqipëria, ka arritur në rreth 1.68 milionë. REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona e mori një lajm të keq sot. Gjiganti katalunas,…