Shqipëria do të duhej të tregohej më e duruar me Kosovën
Njohësi i çështjeve rajonale, Mentor Nazarko, ka thënë se Shqipëria do të duhej të tregohej më e duruar me Kosovën, kur kjo e fundit po e demonstronte sovranitetin kundrejt faktorit ndërkombëtar.
Të hënën në “Interaktiv” të KTV-së, Nazarko ka thënë se Shqipëria institucionale do të mund ta toleronte më shumë Kosovën.
“Ka pjesën e fajit të vet Shqipëria. Shqipëria politike, institucionale mund të ishte më e duruar me Kosovën. Mendoj që mund të kishte treguar më shumë durim për këtë padurimin e Kosovës për të demonstruar sovranitetit kundrejt faktorit ndërkombëtar dhe kundrejt Shqipërisë. Rama do të duhej të kalonte më shumë kohë me Kurtin për të cilin ka pasur fjalë të fuqishme miradije, më shumë sesa për Thaçin në qoftë se e mbani mend historikun e marrëdhënieve të tyre ndërpersonale. Shqipëria do të mund ta toleronte Kosovën pak më shumë”, ka thënë ai.
Ai më tej ka thënë se Kosova nuk duhet të vuajë nga sindromi i mosmirënjohjes ndaj miqve ndërkombëtarë.
“Është mirë që Kosova të mos vuajë nga sindromi i mosmirënjohjes ndaj miqve perëndimorë. Qasja e Marrëveshjes së Uashingtonit, e cila u pranua si korrekte edhe nga Blinkeni në janar të 2021-ës kur ai mori detyrën, është qasja më e drejtë”, është shprehur ai.