Shqipëria do të japë mbështetje të pakushtëzuar ndaj Kosovës

24 janar 2025 | 08:25

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në pritjen e përvitshme me Trupin Diplomatik të akredituar në Shqipëri, përcolli mesazhe për avancimin e integrimit në BE, bashkëpunimin në rajon dhe me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar njëkohësisht përkushtimin në përmbushjen e objektivave kombëtare përmes “strategjive të qarta, drejtësisë, dialogut politik dhe gjithëpërfshirjes”.

Begaj përforcoi qëndrimin për mbështetje të pakushtëzuar ndaj Kosovës.

Presidenti Begaj apeloi për thellimin e bashkëpunimit rajonal duke garantuar mbrojtjen e përkatësisë evropiane dhe avancimin e kursit Euroatlantik nga Shqipëria dhe faktori shqiptar.

“Forcimi i Aleancës Euroatlantike duhet të jetë prioritet. Një NATO e fortë dhe e përbashkuar do të kontribuojë në përballjen e çdo sfide”, – u shpreh Presidenti Begaj duke iu referuar sfidave globale, ndërsa vuri në dukje faktin se Shqipëria ka luajtur një rol aktiv dhe të qëndrueshëm në organizatat ndërkombëtare, e udhëhequr nga besimi dhe përkushtimi në vlerat e përbashkëta demokratike.

Sipas Begajt, Shqipëria e ka konsoliduar edhe më tej rolin e partnerit të besueshëm ndërkombëtar dhe atë proaktiv në skenën rajonale, duke dëshmuar mbështetjen më të lartë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Hapja e negociatave është dëshmi jo vetëm e vlerësimit për reformat që Shqipëria ka ndërmarrë, por edhe tregues i vendosmërisë dhe përkushtimit tonë për të avancuar në këtë proces transformues drejt përkatësisë sonë evropiane. Udhëtimi ynë drejt Evropës së bashkuar nuk është vetëm ambicie politike, por lidhet pazgjidhshmërisht me vlera të shtrenjta për ne, siç janë: demokracia, të drejtat e njeriut dhe kohezioni social”, u shpreh Presidenti.

Kreu i Shtetit konfirmoi angazhimin për kryerjen e reformave të thella, të cilat mbeten prioriteti kryesor për të ardhmen e vendit dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të cilin e konsideroi si projekt madhor të paqes, mirëqenies dhe zhvillimit.

“Shqiptarët janë të bindur se demokracia, integrimi dhe shteti i së drejtës nuk dhurohen, por janë procese thelbësore që kërkojnë bashkëpjesëmarrje, bashkëveprim dhe strategji të qarta për rezultate të prekshme”, theksoi kreu i shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shumica e qytetarëve serbë sot do të dalin në grevë…