Shqipëria e gatshme t’i jetësojë rezolutat e miratuara nga Kuvendi i Kosovës
Deputetët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Aida Dërguti dhe Dardan Molliqaj, së bashku me një delegacion nga Kuvendi i Kosovës, janë pritur në takim nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramos Ruçi, kryetari i Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, Eduard Shalsi, si dhe nga kryetarja e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Ermola Felaj.
Temë e këtyre takimeve ka qenë Rezoluta për heqjen e Roamingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, Rezoluta për heqjen e tërësishme të kontrollit për hyrje-dalje e shtetasve të Republikës së Shqipërisë ndërmjet pikave të kalimit kufitare: Vërmicë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë, si dhe Rezoluta me të cilën kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës të nisë menjëherë procedurat e nevojshme ligjore për arritjen e marrëveshjes ndërkombëtare për unifikimin e doganave me Republikën e Shqipërisë.
Institucionet e Republikës së Shqipërisë mbeten të hapura ndaj çdo kërkese nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Ata i kanë konsideruar të rëndësishme rezolutat e miratuara si dhe kanë shprehur vullnetin e institucioneve të Shqipërisë për jetësimin e tyre.
/Epoka e re/