Shqipëria ekstradon në Turqi mësuesin turk, Harun Çelik

02 janar 2020 | 16:17

Ekstradimi i gylenistit, mësuesit turk, në mesnatën e Vitit të Ri prej Shqipërisë drejt thertores së Presidentit turk, Erdogan ka shkaktuar reagim të madh në rrjetet sociale, por edhe në politikë.

VOA shkruan se “Policia shqiptare bëri të ditur se kreu procedurat për të larguar nga Shqipëria shtetasin turk Harun Çelik sapo përfundoi një dënim, që mori në Tiranë.

Zëdhënësi i policisë, Gent Mullaj, tha për “Zërin e Amerikës ”se “ky shtetas ishte i dënuar dhe dje doli nga burgu. Ai është kapur me dokumenta false në dalje në Rinas dhe për këtë u dënua. Në bazë të ligjit për të huaj, janë bërë procedurat ligjore për largim nga Shqipëria”.

Pyetjes së “Zërit të Amerikës” nëse Harun Çelik kishte kërkuar strehim e mbrojtje nga Shqipëria si një veprimtar politik i rrezikuar në atdheun e tij në Turqi zëdhënësi iu përgjigj se “nuk kishte info tjetër”.

Harun Çelik, 42 vjeç, mësohet se ishte një mësues, pjesëtar i lëvizjes Gulen në Turqi, i cili në përpjekje për t’u larguar kërcënimeve nga atdheu i tij, u kap në aeroportin e Rinasit me dokumente false duke udhëtuar drejt Kanadasë”.

Ja se çka ndodhur në mesnatën e dates 1 janar 2020:

Një shtetas turk, 42- vjeç mbështetës i lëvizjes Gylen, pasi ka përfunduar dënimin në Shqipëri është marrë në mënyrë të paligjshme dhe është mbajtur disa orë në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit në Laprakë.

Burime thanë se qytetari turk është ndaluar në Rinas 5 muaj më parë, teksa kalonte tranzit me pasaportë false kanadeze. Ka vuajtur dënimin në vendin tonë prej 5 muajsh, dhe sot është njoftuar se i ka përfunduar dënimi.

Burimet saktesojne se 42-vjeçari turk, është liruar nga burgu 302 në Tiranë, më datë 1 janar 2020, pa u zbatuar procedurat ligjore të lirimit. Sakaq, menjëherë e kanë marrë prej andej dhe kanë nisur procedurat për deportimin e tij nga Shqipëria.

Referuar sërish burimeve të besuara, Harun Çelik nga drejtoria e Migracionit po transportohet me urgjence drejt Rinasit, ku autoritetet shtetërore shqiptare e deportuan jashtë dëshirës së tij, për ta dorëzuar në Turqi, ku ai përndiqet nga shteti turk.

Shtetasi turk ka të drejten e apelimit por kjo e drejtë i është mohuar, pasi Drejtoria e Migracionit ka vendosur ta dergojë menjehere nga qelia në aeroport drejt Turqisë.

Reagimet

Shqipëria urdhëroi dëbimin për herë të parë të një anëtari të lëvizjes Gulen në Turqinë e Erdoganit mbrëmjen e së Mërkurës më 1 janar 2019, duke ngritur shqetësime për dhunim të të drejtave themelore të njeriut.

Rrjetet sociale shpërthyen mbrëmjen e së mërkurës duke dhënë lajmin për dërgimin e Harun Çelik* drejt aeroportit të Rinasit ndërsa një orë më vonë, zëdhënësi i Policisë së Shtetit Gentjan Mullai i konfirmoi BIRN se personi në fjalë “është dëbuar nga vendi”.

“Personi ka qenë në burg pasi është kapur nga policia kufitare e Rinasit me dokumente false. Në zbatim të ligjit “për të Huajt” do [të] dëbohet,” tha Mullai.

Zyra e Kryeministrit Edi Rama tha e pyetur nga BIRN se “dënimi është një çështje procedurash ligjore që nuk ka lidhje me kryeministrin”.

Shqipëria i bashkohet në këtë mënyrë një numri të vogël shtetesh që i binden kërkesës së presidentit të Turqisë Recep Taip Erdogan për të dërguar në Turqi për përndjekje penale çdo person të lidhur me lëvizjen globale Gulen, të cilën ai e akuzon si organizatore të grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016.

Në shkurt 2015, Kosova dëboi pesë shtetas të kërkuar nga Turqia duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe kritika të ashpra nga BE dhe SHBA për shkelje të procesit të rregullt ligjor dhe dhunim të të drejtave themelore të njeriut. Kryeministri Ramush Haradinaj në atë rast shkarkoi kreun e shërbimeve sekrete të vendit si dhe ministrin e Brendshëm duke pretenduar se nuk kishte pasur dijeni për dëbimin, shkruan BIRN.

Eurodeputetja Ramona Strugariu flet ashpër:

Vendimi i qeverisë shqiptare për të dëbuar një mësues turk, anëtar i lëvizjes gyleniste është gjykuar ashpër eurodeputetja Ramona Strugariu.

Kjo e fundit reagoi menjëherë duke kritikuar qeverinë shqiptare përmes një statusi në Twitter. Ajo i kujton kryeministrit Rama ligjin dhe i kërkon të mos e ekstradojë Harun Celikun në Turqi.

“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni #HarunÇelik në Turqi!” shkroi ajo.

Neni në fjalë thotë: “Askush nuk mund të hiqet, përzihet ose ekstradohet drejt një Shteti ku ka rrezik serioz që ai apo ajo t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera ç’njerëzore apo degraduese.”

PD deklaratë:

Partia Demokratike ka reaguar përmes rrjeteve sociale lidhur me ekstradimin e mësuesit turk. Ndërsa kërkon reagimin e autoriteteve përkatëse, Selia Blu apelon për transparencë lidhur me këtë çështje.

“Ndërsa mediat po raportojnë me shqetësim për një ekstradim të një qytetari turk, sipas tyre, në shkelje të ligjit, nuk ka asnjë sqarim të institucioneve shtetërore për këtë ngjarje.

Heshtja dhe zgjedhja e datës 1 Janar për këtë veprim na detyrojnë të kërkojmë trasparencë të menjëhershme për çfarë po ndodh, dhe përgjigje nëse veprimet e autoriteteve janë në përputhje me ligjet në fuqi, konventat ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut?

Është prioritare për çdo vend demokratik, veçanërisht në procesin e integrimit europian, të respektojë këto parime, të drejta e detyrime. Shkelja e tyre është kthyer në rregull për qeverinë e korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës”, thuhet në reagimin e PD-së.

Ditmir Bushati pati kundërshtuar palën turke, por e shkarkuan

Në tetor të vitit 2018 gjatë një turi në Shkup, Prishtinë dhe në Tiranë, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, me një gjuhë aspak diplomatike kërkoi nga të tre vendet që të spastrojnë nga vendet e tyre `armiqtë` e Turqisë, të ashtuquajturit `gylenistë`.

Kosova nëpërmjet një aksioni të jashtëligjshëm të kryer në fshehtësi me urdhër të presidentit Thaçi nga shërbimi sekret, ekstradoi vitin e shkuar 6 mësues të akuzuar në Turqi. Nga ana tjetër, Shqipëria zbatoi vetëm kërkesën për mbylljen apo tjetërsimin e rrjetit të shkollave të financuara nga Gulen dhe nuk guxoi deri te shkelja e konventave ndërkombëtare që ka nënshkruar me BE, siç bëri Kosova me ekstradimet skandaloze pas të cilat u larguan nga detyra ministri i Brendshëm dhe shefi i shërbimit inteligjent.

Por në këto kohë të vështira për pushtetin e tij, duket se Edi Rama nuk ka gjetur më shteg, për t`ju shmangur detyrimeve që ka kundrejt `sulltanit` Erdogan. Ndaj ditën e parë të vitit 2020 e ka inauguruar me një operacion skandaloz dhe të dyshimtë, për ekstradimin drejt burgjeve të Turqisë të mësuesit, Harun Çelik, i cili kishte hyrë në Shqipëri me dokumente të falsifikuara kanadeze në tentativë për ti shpëtuar përndjekjeve nga shtetit turk me arsyetimin, se është pjesë e lëvizjes “FETO”.

Ky ekstradim i cili ka ngjallur reagime të ashpra jo vetëm brenda vendit, por edhe nga deputetët të parlamentit evropian shënjon edhe një devijim të politikës sonë të jashtme në lidhje me këtë çështje. Rikujtojmë se në 19 tetor të vitit 2018, pikërisht për çështjen e ekstradimeve të të kërkuarve politik nga Turqia pati një përplasje live në Tiranë mes ministrit të Jashtëm në atë kohë, Ditmir Bushati, me homologun turk Mevlut Çavusoglu.

Ky i fundit gjatë konferencës së përbashkët për mediat, gati me tone urdhërore deklaroi se;

“Ne i kemi përcjell në një mënyrë të qartë të gjitha kërkesat. Hapat që duhen hedhur për eleminimin e FETO-s këtu. Eleminimin e veprimtarisë kundër Turqisë që zhvillohet këtu. Ne gjithmonë kemi dhënë lista me emrat e tyre miqve tanë shqiptar. Gjithashtu janë persona për të cilët ne kërkojmë ekstradimin e tyre. E kemi bërë këtë kërkesë edhe në mënyrë zyrtare”.

Por menjëherë pas kësaj deklarate, përveç të tjerave ish-ministri Bushati i vuri në dukje homologut turk, se Shqipëria përpara së gjithash është një vend anëtar i NATO-s e vend kandidat për në BE,i cili ka aderuar në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit.

“Përgjigja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë por edhe në planin ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para që është solidarizuar me çfarë ndodhi në Turqi në rrethanat e grushtit të shtetit. Por nga ana tjetër është një vend anëtar i NATO-s, vend kandidat për në BE, ka aderuar në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë e tillë ndiqet në rrugë diplomatike dhe as se si në konferenca shtypi”, ishte atëherë përgjigjja e prerë e Bushatit.

Por vetëm 2 muaj më pas, ai u shkarkua prej Edi Ramës nga detyra e lartë e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë!/kohajone/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në orët e hershme të mëngjesit kanë ndërruar jetë…