Shqipëria është goditur nga 800 tërmete
Tërmetet e njëpasnjëshme vazhdojnë ta lëkundin Shqipërinë e Mesme në këtë sezon veror.
Kjo situatë ka shkaktuar frikë tek njerëzit, por sizmologët kanë thënë se nuk ka vend për panik.
“Epiqendra e tërmetit të djeshëm ishte rreth 11 km në verilindje të Peqinit. Ai i datës 4, ishte 5.1, kurse ky 4.7. Kjo diferencë në magnitudë tregon edhe një diferencë në energjinë e rrezatuar. Pra, nuk është se ka qenë më i rrezikshëm se ai i pari”, ka thënë Edmond Dushi, sizmolog.
Por sa normale është kjo vazhdimësi lëkundjesh sizmike?
“Shpeshtësia e këtyre tërmeteve është më e madhe në raport me ato që kanë magnitudë më të madhe. Pra, ka një ligjshmëri që sa më e vogël të jetë magnituda aq më shpesh i presim”, ka shpjeguar Dushi.
Tërmeti i djeshëm me epiqendër në Peqin ishte i izoluar, pa lëkundje të tjera pasuese. Ndryshe nga tërmeti në Gjirin e Lalzit dy javë më parë.
“Që nga ai moment e deri tani që po flasim janë regjistruar dhe vazhdojnë regjistrohen, por me një intensitet shumë të ulët dhe në frekuencë e në magnitudë, 820 ngjarje”, ka thënë Dushi. /Top Channel/