Shqipëria evakuon 15 persona nga Izraeli, tre prej tyre nga Kosova
Pesëmbëdhjetë shtetas shqiptarë, mes të cilëve tre nxënës nga Kosova që ndodheshin në Izrael në kohën kur Irani kreu sulm ndaj Izraelit, pritet të kthehen mbrëmjen e së hënës.
Mbrëmjen në mes të 13 dhe 14 prillit, Irani ka sulmuar Izraelin me dronë dhe raketa, në shenjë hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Siri, më 1 prill.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka bërë me dije se 15 qytetarët janë larguar nga Tel Avivi ditën e dielë dhe ndodhen në Qipro. Fluturimet e tyre drejt Shqipërisë u anuluan mëngjesin e së dielës për shkak të situatës së tensionuar në rajon.
Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Diasporës e Kosovës nuk ka ndonjë reagim zyrtar për evakuimin e tre kosovarëve.
Megjithatë, një ditë më herët, kjo ministri publikoi një numër të Ambasadës së Kosovës në Izrael për të gjithë shtetasit e Kosovës në këtë shtet që mund të kenë nevojë për ndihmë, pas sulmit të Iranit.
Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Shqipërisë u tha se pesë nga të evokuarit janë punonjës të Ministrisë së Turizmit të Shqipërisë dhe familjarë të tyre.
Ata gjendeshin në Izrael me ftesë të ambasadores shqiptare, Meri Kumbe, dhe autoriteteve izraelite për të marrë pjesë në aktivitetin turistik “Allbania all senses”, ku ishin të pranishëm edhe operatorë turistikë izraelitë.
“Prej mbrëmjes të së shtunës, përmes koordinimit të pandërprerë me ambasadat e Shqipërisë në Izrael dhe Egjipt, nisëm punën për të organizuar kthimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fluturimet e të cilëve u anuluan për shkak të situatës së tensionuar në rajon”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare.
Në Qipro ndodhen edhe dhjetë nxënës që studiojnë në shkollat ndërkombëtare në Izrael, shtatë prej të cilëve nga Shqipëria dhe tre nga Kosova.
“Sot në mbrëmje të 15 qytetarët që u larguan nga Tel Aviv udhëtojnë drejt Tiranës e Prishtinës. Po punohet për kthimin në atdhe edhe të dy qytetarëve, të cilët nuk mundën dot të përgjigjeshin në telefon të dielë, ndërsa përgatitej fluturimi i radhës”, ka njoftuar ministria shqiptare.
Ndërkaq, bëhet e ditur se 13 turistë shqiptarë janë larguar mbrëmjen e 14 prillit nga Jordania, e prej disa orësh janë pranë familjeve të tyre në atdhe.
Izraeli, që nga 7 tetori, po zhvillon luftë në Gazë kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – pasi grupi radikal kreu sulm vdekjeprurës në jug të Izraelit.
Ambasadorja e Shqipërisë, Meri Kumbe ka deklaruar për mediat në Shqipëri se prej muajit tetor të vitit 2023, kur nisi lufta në Gazëm janë evakuuar 330 persona nga Izraeli drejt Shqipërisë. /REL