Shqipëria fiton dhe dhuron spektakël në Ishujt Faroe
Shqipëria vijon rrugëtimin fantastik nën drejtimin e Sylvinhos duke marrë fitoren e dytë radhazi, 3-1 në Ishujt Faroe. Transferta e radhës rezultoi e suksesshme për kuqezinjtë tanë që krijuan pafund raste, por dhe nga ana tjetër rrezikuan të pësonin më shumë gola.
Në minutën e 20-të, Jasir Asani shërben një asist perfekt për Nedim Bajrami, i cili me një goditje perfekte me të djathtën e dërgon në rrjetë. 12 minuta më pas Sokol Cikalleshi fitoi një 11-metërsh, të cilin e mori vetë përsipër. Sulmuesi kavajas do të gabonte nga pika e bardhë.
Në fillimin e pjesës së dytë ndërkohë vendasit do të ishin shumë të rrezikshëm, duke gjetur dhe golin e barazimit. Pas një shpërqendrimi të skuadrës sonë, Faero përfitoi për të shënuar me kokë, ndërkohë që Berisha e shoqëroi me sy topin në rrjetë.
Shqipëria do të reagonte shumë shpejt, duke u rikthyer sërish në avantazh. Në minutën e 51-të, Kristjan Asllani ka shënuar një eurogol të vërtet me një goditje spektakolare nga distanca, që do të shkonte në trekëndëshin e portës. Një “perlë” e vërtetë nga lojtari i Interit, që gjen golin e parë me Kombëtaren tonë.
Në minutat shtesë, Ernest Muçi vulosi gjithçka duke shënuar golin e tretë pas një kundërsulmi shumë të bukur.