Shqipëria heq tarifat për veturat elektrike
Drejtoria Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor në Shqipëri do të rimbursojë çdo tarifë të regjistrimit për herë të parë për mjetet elektrike plug-in.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, ka informuar se tarifat e regjistrimit do të bëhen zero, kontrolli fizik do të kushtojë 1500 lekë, leje e qarkullimit kombëtare bëhet 1 mijë lekë, target standard do të jenë 3 000 lekë dhe certifikata e pronësisë do të kushtojë 2 000 lekë. “Në total 7500 lekë të reja për çdo mjet Green do të mbulohen nga DPSHTRR-ja”, ka thënë Gonxhja.
Nisma bazohet në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për planin kombëtar për menaxhimin e cilësisë së Ajrit” që adreson cilësinë e ajrit si një ndër çështjet mjedisore më kritike, që ka të bëjë me administratorët lokalë dhe autoritetet qendrore, si dhe prek jetën e përditshme të çdo qytetari.
DPSHTRR-ja bëhet kështu një ent promotor dhe protagonist edhe për risi konkrete për mbrojtjen e mjedisit dhe cilësisë së ajrit, uljen e ndotjes mes nxitjes së regjistrimit të mjeteve Green nga qytetarët si edhe ndërgjegjësimit për gjeneratat e së tashmes dhe së ardhmes.
“Ky lajm i mirë e i gjelbër është vetëm një nga shumë nismat Green që DPSHTRR-ja po përgatit për miratim në këshillin tonë drejtues dhe MIE, krahas propozimeve në kuadër të ndryshimeve në ligjin për taksat për mjetet rrugore, për miratim në MFE”, është shprehur Gonxhja. /ATSH