Shqipëria i kërkon Kosovës themelimin e Asociacionit, duke e çuar për vlerësim në Kushtetuese
Shqipëria kërkon nga Kosova themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë garanci se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
Për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ambasadori i ri i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj thekson se Kosova duhet të ndërmarrë hapat për të punuar në projektstatutin e prezantuar në tetor nga emisarët euro-amerikanë.
Malaj thekson se Shqipëria mbështet fuqishëm Kosovën për zbatimin e marrëveshjes bazë dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të nxitur paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin.
Diplomati shqiptar në Prishtinë në një intervistë për “KosovaPress” ka folur edhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes këtyre dy vendeve, si dhe për hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe impaktin e saj në aspektin ekonomik në të ardhmen.
“Janë gjëra të marra përsipër, po flas në këtë rast për Kosovën e mos të flas për Serbinë dhe padyshim që Serbia vendos ngërçet e veta dhe asnjë herë nuk shkon më tej, sa thotë ‘po’, e thotë ‘jo’ të nesërmen. Unë dua të them që Kosova duhet hedh hapat e saj dhe Shqipëria në fakt ka qenë në këtë suazë ose në këtë kahe të veprimit politik këtu në Kosovë ku ka mbështetur planin franko gjerman dhe bërjen e Asociacionit. Kryeministri jonë (Edi Rama) ka paraqitur edhe një draft, por nuk ishte e thënë që të ishte ai draft. Kosova mund ta bëjë vetë draftin apo në rastin konkret që i është servirur nga aleatët ndërkombëtar. Por, unë di të them që Kosova e ka hedhur hapin e duhur dhe kryeministri jonë e ka mbështetur këtë gjë. Kryeministri Rama duke thënë që “Kosova tashmë ka bërë atë që duhet të bëjë, mirëpo ngelet të bëhet implementimi i saj. Kuptohet që aleati ynë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, QUINT-i të gjithë e kanë thënë dhe e thonë fort që ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nga ana tjetër duhet patjetër të ekzekutohet patjetër duke shkuar në Gjykatën Kushtetuese, duke marrë vërejtjet siç po ndodhë”, thekson Malaj.
Ambasadori Malaj ka theksuar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë në aspektin politik konsiderohen të jenë ndër më të mirat e mundshme që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.