Shqipëria – Jordania, 0-0
Miqësoret rrallë merren seriozisht, por Shqipëria po e tepron, sepse ka kohë që nuk fitojmë lehtësisht as ndeshje me rivalë modestë. Sot jemi ndalur te barazimi 0-0 në Elbasan nga Jordania dhe ishte një ndeshje që duhej fituar patjetër, ndaj një rivali inferior, që rrallë e kaloi mesfushën tonë.
Panuçi provoi formacionin që do luajë në Izrael të dielën dhe natyrisht do të justifikohet me faktin që mendja ishte tek ai takim, por duhet kujtuar se para pak vitesh me fitoret në miqësore ndërtuam një renditje të mirë në FIFA dhe më pas ndërtuam edhe kualifikimin për në Euro 2016.
Kundër Jordanisë ishte një miqësore me ritëm të ulët, dominuar nga kuqezinjtë, por me raste të pakta për shënim. Të gjitha rastet ishin në portën jordaneze dhe dukej sikur do shënonim në çdo moment, por kemi probleme të mëdha dhe kryesori është ai i mungesës së njeriut gol. Armando Sadiku ka lënë një boshllëk të madh në sulm dhe Manaj nuk është ende gati ta mbushë.
Dy herë pretenduam për penallti, arbitri nga Kosova nuk ishte dakord, ndërsa më pas humbëm edhe raste të mira, por mungoi ritmi i lartë dhe presioni konstant në portën jordaneze. Në fundin e takimit Uzuni ishte i pafat, sepse goditi shtyllën, por Shqipëria nuk bindi dhe nuk i kënaqi tifozët besnikë që ishin në stadium, sidomos TKZ, që nuk u ndal për gjithë ndeshjen së mbështeturi kuqezinjtë.