Shqipëria krijon forcën e rezervistëve
Qeveria shqiptare i ka hapur rrugën krijimit të forcës së rezervistëve, pasi ka miratuar projektligjin që rregullon funksionimin dhe organizimin e një force të tillë.
Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Pirro Vengu, tha për gazetarët se synohet që nga janari i vitit 2025 të niset me hapat e parë për formimin e forcës së rezervistëve.
Përmes këtij projektligji, Vengu tha se i japin mundësi ushtarakëve që kanë vendosur të zhvillojnë karrierën në sektorin privat, që të angazhohen edhe në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, me misione specifike.
Ai tha se në këto misione mund të përfshihen misionet paqeruajtëse në kuadër të angazhimit në NATO apo në rajon, shkruan Rel.
“Në kuadër të detyrimeve dhe standardeve të NATO-s dhe sfidave të reja të sigurisë, ka lindur nevoja që të konsiderojmë krijimin dhe organizimin e forcës së rezervistëve”, tha Vengu.
Qeveria do të ndajë 15.5 milionë euro vitin e ardhshëm për këtë forcë, tha Vengu.
Shërbimi do të përfshijë një forcë rezerviste që do të përbëhet nga 25 për qind e forcave aktive, ose rreth 2.100 persona, duke siguruar kështu një kapacitet të rëndësishëm për reagim të shpejtë në raste emergjente.