Shqipëria luan për fitore kundër Çekisë në “Air Albania”
Kombëtarja e Shqipërisë do ta presë sonte (e enjtë) në “Air Albania” përfaqësuesen e Republikës Çeke, një përballje e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian të Futbollit, “Euro 2024”, sfidë e cila pritet të jetë vendimtare në lidhje me kualifikimin e “shqiponjave” në fazën e grupeve të kompeticionit më të rëndësishëm për ekipet kombëtare në Evropë. Kjo ndeshje do të luhet në orën 20:45.
Në prag të duelit ndaj Çekisë, tekniku Sylvinho ka thënë se Kombëtarja e Shqipërisë ka “tri finale” në kuadër të kualifikueseve për “Euro 2024”. “Ne kemi tri finale përpara dhe duhet të përballemi me të njëjtin qëndrim që kemi pasur deri më tani. Gjithçka fillon të enjten (sot). Ne jemi të vetëdijshëm për entuziazmin e tifozëve tanë, por lojtarët e dinë se ky është skenari i jashtëm, diçka që ne nuk mund ta kontrollojmë. Ata janë absolutisht të qetë dhe të ndërgjegjshëm. Një fitore të enjten do të ishte një hap i madh drejt kualifikimit tonë të shumëpritur. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, por ende nuk është përcaktuese. Ne patëm një shans të vërtetë për t’u rikthyer me një rezultat më të mirë nga ajo ndeshje, por gjëja më e rëndësishme që morëm nga debutimi ishte se u lidhëm me lojtarët dhe ata e kuptuan menjëherë se çfarë donim”, ka thënë ai.
Ndërsa trajneri i Kombëtares së Çekisë, Jaroslav Silhavy, ka thënë se është i vetëdijshëm për rëndësinë dhe vështirësinë e këtij dueli. Silhavy ka thënë për se nuk do ta kenë të lehtë përpara tifozëve shqiptarë. “Shqipëria nuk ishte një nga fuqitë e mëdha të futbollit, por nëse i hedhim një sy skuadrës së tyre, ka shumë lojtarë nga Seria A italiane dhe nga kompeticionet evropiane. Shtoji këtu edhe tifozët fanatikë në korridore”, ka thënë Silhavy.