Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Kroacia përballen me ndërprerje të rrymës
Shumë qytete në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike, më 21 qershor.
Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) në Shqipëri, ka thënë se shkaktarët e ndërprerjes së rrymës kanë qenë volumet e larta të transmetimit dhe temperaturat ekstreme, që kanë shkaktuar defekte në linjën e interkoneksionit me Greqinë.
“Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin”, ka thënë OST përmes një njoftimi duke shtuar se po merren masa për rikthimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët.
Edhe sistemi për shpërndarjen e rrymës në Mal të Zi ka njoftuar i përmes një postimi në “Facebook” se ka ndërprerje të energjisë elektrike dhe se pothuajse i tërë vendi është pa rrymë.
Ndërkaq, drejtori i Kompanisë së Energjisë Elektrike në Republikën Sërpska, Luka Petroviq, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se arsyeja e ndërprerjes së rrymës në pothuajse tërë territorin e Bosnjës është për shkak të një “problemi në rrjetin e energjisë në Mal të Zi”. Autoritetet në Republikën Sërpska thanë se presin që situata me energji të stabilizohet shpejt.
Edhe Kroacia ka njoftuar se disa pjesë të vendit janë përballur me ndërprerje të rrymës, përderisa autoritetet kroate, së bashku me homologët e tyre në shtetet fqinje, thanë se po analizojnë shkakun e ndërprerjes së rrymës.
Nga Kompania e Furnizimit me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO) kanë konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se nuk ka probleme me furnizim me energji elektrike në Kosovë. Probleme me rrymë nuk janë raportuar as në Serbi dhe Maqedoni të Veriut.
Ditëve të fundit, Kosova është përballur me temperatura mbi 35 gradë celsius.