
Shqipëria mbështetë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë
Presidenti Ilir Meta ka bërë me dije se Shqipëria do të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
“Një proces konstruktiv ka potencialin të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, tërësore dhe të zbatueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kontribuon për paqen, stabilitetin e perspektivën europiane të rajonit”, ka shkruar Meta në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se ngjashëm me shembullin e Marrëveshjes së Prespës, mbeten jetike dhe të domosdoshme si bashkëpunimi i përgjegjshëm dhe serioz ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ashtu edhe një koordinim më i mirë ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi perspektivën e dialogut dhe të rajonit.
/Epoka e re/