Shqipëria mposhti Bjellorusinë, siguron kalimin në Ligën B

18 nëntor 2020 | 17:56

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll e ka mbyllur me një fitore 3-2 edicioni në Ligën e Kombeve, duke siguruar vendin e parë në grup. Ky sukses i kuqezinjve i garanton Kombëtares kalimin për në Ligën B për në edicionin e ardhshëm, si dhe 1.1 milion euro në arkat e FSHF-së.

Ishte një ndeshje shumë pozitive e skuadrës së drejtuar nga Edy Reja që do të zhbllokonte ndeshjen në minutën e 19-të me Cikalleshin, i cili do te realizonte me kokë. Shtatë minuta më pas Shqipëria shënoi edhe golin e dytë, sërish me Cikalleshin, që ekzekutoi një 11-metërsh të fituar nga Manaj.

Në minutën e 35-të, Bjellorusia dha sinjale reagimi, teksa do të shënonte me Skavysh, duke përfituar nga një gabim i Ismajlit. Gjithsesi gëzimi i tyre do të zgjaste shumë pak. Në minutën e 44-të, pas një aksioni të gjatë, Rey Manaj ndjek mjaft mirë aksionin dhe më pas arrin ta dërgojë topin në trekëndëshin e portës.

Në fraksionin e dytë, Shqipëria ul disi ritmin e lojës, ndërkohë që Gjimshiti, Laçi dhe Gjasula janë më të spikaturit. Uzuni shpërdoroi një mundësi shumë të mirë shënimi, ndërkohë që bjellorusët shfrytëzuan më së miri një përgjumje të mbrojtjes sonë, duke rihapur ndeshjen në minutën e 80-të me Max Ebong. Tjetër gabim i Ismajlit, i cili në fakt në disa raste shfaqi pasiguri me lojën e tij. Pavarësisht këmbënguljes së bjellorusëve, rezultati nuk do të ndryshonte deri në fund.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bjellorusia ka shënuar edhe njëherë gol në ndeshjen ndaj Shqipërisë,…