Shqipëria mund të bëhet me stacione ngarkimi për makinat elektrike
Një projekt që përfshin gjithë Ballkanin, për t’i pajisur rrugët kryesore të gadishullit me stacione ngarkimi për automjetet elektrike. Ky është plani i kompanisë bullgare “Eldrive”, e cila synon të bëhet lider i këtij shërbimi në rajon.
Kohët e fundit, kompania ka shtrirë operacionet e saj edhe në Rumani, pas disa viteve në tregun vendas dhe synon që brenda verës së ardhshme ta mbulojë Bukureshtin me pika për ngarkimin e makinave.
Objektivi është që fillimisht të mbulohen autostradat më të rëndësishme dhe akset nacionale më të frekuentuara që kalojnë përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë, duke bërë edhe lidhjen me Bullgarinë e Rumaninë, shkruan “scantv”.
Për të realizuar këto plane, “Eldrive” mbështetet në tregun bullgar, i cili është ai me rritjen më të shpejtë të shitjeve për automjetet me bateri, si edhe nga partneriteti me kompani tregtuese të karburantit, për të instaluar stacione edhe në pikat e tyre.
Në rast të plotësimit të këtyre planeve, një nga përfituesit kryesorë do të ishte edhe Shqipëria, e cila vuan nga mungesa e qendrave të tilla të ngarkimit. Sipas një raporti të fundit të Tetorit 2017, në vendin tonë numërohen vetëm 2 pika ngarkimi super të shpejtë, duke u renditur të fundit në Evropë, së bashku me Bosnje dhe Hercegovinën.
Vendosja e stacioneve në rrugët kryesore nacionale do të mundësonte udhëtimin drejt vendit tonë edhe me automjete elektrike, pa krijuar vështirësi apo humbur kohë për t’i ngarkuar.