Shqipëria ndan 1 milion euro ndihma për Turqinë
Shqipëria do t’i ndajë 1 milion euro si ndihmë për Turqinë, pas tërmetit të 6 shkurtit që ka lënë mijëra njerëz të vdekur.
Nga tërmetet mbi 7 shkallë të Riheterit në Turqi dhe Siri kanë vdekur mbi 39.000 persona.
Mbështetja financiare e Shqipërisë për Turqinë është bërë e ditur nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë një deklarimi për televizionin shtetëror turk.
Zyra e Kryeministrit ka thënë për mediet se Rama ka shprehur solidaritet me popullin e Turqisë dhe gjithë të prekurit nga tërmeti, raporton REL.
“Nuk do ta harrojmë kurrë atë që Turqia dhe [presidenti turk, Recep Tayyp] Erdogan bënë pas tërmetit të 2019-ës [në Shqipëri], dhe kemi vendosur të mbështesim popullin turk. Shpresojmë se familjet turke do ta kalojnë këtë falë solidaritetit. Shqipëria në emër të qytetarëve shqiptarë do të dhurojë 1 milion euro. E dimë që nevojiten shumë më tepër, por jemi pranë jush dhe japim çfarë të mundemi”, ka thënë mes tjerash Rama.
Më 13 shkurt në Shqipëri është shpallur ditë zie kombëtare, në nderim të viktimave që ka shkaktuar tërmeti në kufirin turko-sirian.
Ndërkohë, para Bashkisë së Tiranës tash e disa ditë është vendosur një çadër, ku qytetarët mund të ofrojnë veshje dhe ushqime për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.
Ndihmat që grumbullohen çdo ditë i dorëzohen Ambasadës turke në Tiranë, dhe më pas organizohet transporti për t’i dërguar ato sa më shpejt pranë personave në nevojë.