Shqipëria në sytë e mprehtë të Faik Konicës
Bujar Meholli
“Shqipëria si m’u duk” është një ndër veprat më të rëndësishme të Faik Konicës, në të cilën ai do të bëjë një analizë të hollësishme psikologjike, të shqiptarëve të asaj kohe, duke pasur për bazë udhëtimin e tij në Shqipëri që e ndërmori në vitin 1928. Pra, “Shqipëria si m’u duk” u shkrua në po këtë vit. Ky tekst i Konicës është krejtësisht dokumentar dhe i argumentuar, pa munguar ngjyrimet e njohura të satirës.
Në themel të këtij teksti të Konicës është ideja që ai e trajton dendur nëpër të gjitha tekstet e tij, e që është pengimi i çështjes kombëtare nga vetë shqiptarët, të cilët ai i ndan në disa shtresa si: Ekspertët, Robotët (apo njerëzit makina), dhe Levantinët. Këta të fundit, sipas Konicës, janë më të rrezikshmit; ata kanë humbur çdo veti karakteristike kombëtare dhe nuk ngurrojnë ta nënvlerësojnë e mohojnë çdo vlerë të mirëfilltë atdhetare, derisa mitizojnë gjithçka të huaj`. Pra, janë snobë.
Në ballafaqimin e madh të psikologjisë etnike të popullit tonë, me psikologjinë tjetërsuese të levantinëve, kristalizohet në këtë vepër qartë e thjeshtë rëndësia e ruajtjes së autenticitetit së çdo gjëje kombëtare në të gjitha fushat si në: psikologji, kulturë, art, zakone etj.
Faik Konica është një ndër përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes politike e kulturore shqiptare. Ai qe publicist, kritik letrar si dhe veprimtar politik, i cili përgjatë karrierës së tij la gjurmë të pashlyeshme e të gjithanshme në lëvizjen kombëtare, politike, ideore e kulturore shqiptare.
Siç e thamë, titullin “Shqipëria si m’u duk”, Konica ia vendos tekstit pasi që kthehet për herë të fundit në atdhe dhe bën një përshkrim të gjatë të asaj çfarë pa dhe përjetoi në tokën shqiptare së cilës ai, ia kushtoi gjithë jetën. Në këtë tekst, kemi të bëjmë edhe me Mbretin Zog, i cili kish konsoliduar pushtetin dhe kish krijuar njëfarë stabiliteti në vend, duke shpallur kështu mbretërinë.
Me t’u kthyer Konica në Shqipëri, Zogu i bën një pritje aristokrate, e cila i pëlqen Konicës. Zogu e dërgon sekretarin në Durrës që ta marrë Konicën dhe t’i shpreh mirëseardhjen në Tiranë. Pas akomodimit, të cilin Konica e përshkruan në tekst, vijojnë pritjet, takimet e nivelit të lartë, pastaj drekat dhe darkat, bisedat në zyrë e kështu…
Këtu kemi luhatjen e Faik Konicës. Dhe mbas gjithë kësaj sikur na del përpara një Konicë i ri, ndryshe nga ai që qemë mësuar ta shohim. Tani na shfaqet një Faik Konicë, i cili largohet nga të menduarit kritik, nga akuzat që ia atribuonte atij, duke ia lëshuar vendin lëvdatave ndaj Mbretit Zog, të cilin madje e krahason edhe me Skënderbeun.
Mbase këtu kemi të bëjmë me dinakërinë e Zogut, që si njeri i pushtetshëm dhe tejet i shkathtë, ia del të ngadhënjejë mbi mendjen e mprehtë të intelektualit të madh.
Dhe për gjithë këto, në tekstin “Shqipëria si m’u duk”, Konica, sikur ia shpërblen Mbretit Zog dhe e neutralizon armiqësinë e gjatë që kishte me të.
Faik bej Konica, në letrat shqipe paraqitet si njëri nga themeluesit dhe mjeshtrit e publicistikës letrare duke shkruar me qindra artikuj, pamflete, polemika, ese, e të tjera tekste të cilat zakonisht i botoi në revistën e tij Albania. Si publicist, kritik letrar dhe veprimtar politik përgjatë karrierës së tij ishte i pakrahasueshëm, ai la kudo gjurmë të thella në lëvizjen kombëtare, ideore, politike e kulturore shqiptare.
Pa dyshim që ai ishte polemisti më i madh i kohës së vet, po kështu kritiku i parë në letërsinë shqipe me Kohëtoren e tij të famshme. Objektivi kryesor i Konicës, qëndron te frymëzimi perëndimor dhe ambiciet e tij madhore, të cilat mendon t’i përcjellë në Shqipëri, dhe kështu ta krijojë vatrën e lëvizjes shqiptare në mes të Evropës.
Në krijimtarinë e tij të pasur, padyshim një vend relevant e zë publicistika; tema qendrore që Konica e trajtoi në publicistikën e tij, ishte ajo atdhetare dhe problemet rrotull saj, lëvizja kombëtare dhe në përgjithësi fati i Shqipërisë.
Me po këto gjëra merret edhe te udhëpërshkrimi “Shqipëria si m’u duk”, ku shfaq shqetësimet e tij për gjendjen dhe fatin e atdheut të robëruar, që vërehen edhe në tekstet tjera të tij.
Para se të flasim më shkoqur për “Shqipëria si m’u duk” do të flasim pak për karakterin e Konicës, i cili shpërfaqet kudo edhe në tekstet e tij.
Konica qe aristokrat i lindur, dhe si i tillë u prit kudo me nderim. Por jo pak herë i ndodhi që mos të kuptohej nga shqiptarët, të cilët më vonë s’do të ngurrojë fare, t’i shajë e t’i tall ashpër.
Ai nuk mund ta shihte askënd sipër vetes, e as pranë vetes. Ishte njeri shumë i pasionuar mbas artit të mirëfilltë, dhe shijes së hollë. Gjatë gjithë jetës së tij, Konica, u përsiat për cilësi dhe stil. Në Shqipëri, shpeshherë pati punë me njerëz që ishin të prirur kah anadollizmi, të cilin ai u përpoq medoemos ta flakë jashtë Shqipërisë. Njeri i jashtëzakonshëm me shpirt të çuditshëm; i dashuruar thellësisht me Shqipërinë, saqë asaj qe i gatshëm t’ia kushtojë gjithë jetën e tij.
Shijen e tij të hollë, e shfaqi kudo në letrat e tij, shkroi e foli me delikatesë të madhe, me ndjenjat më të thella por gjithashtu shau, kritikoi e satirizoi ashpër.
Për arsye të huave të mëdha që kishte, nuk na la vepra të plota; ai çdoherë shkroi me ëndjen për të shkruar. Vetëm kaq!
Ky ishte Faik bej Konica! Njeri ekstremesh. Njeri i pasioneve të mëdha.
Tani, të kthehemi te teksti publicistik “Shqipëria si m’u duk”, që është një ndër tekstet më interesante në letërsinë shqipe.
Konica, tekstin e hap me nëntitullin Dukja e përgjithshme e vendit dhe me ëndërrimet e tij të pëlqyeshme nga të cilat ka frikë të zgjohet, sepse e shpien në një realitet jo të këndshëm, e largojnë nga bota e lulëzuar dhe e bukur, dhe e sjellin përballë gjërave të shëmtuara të tokës shqiptare.
Sikur në çdo tekst tjetër të Konicës, edhe këtu kemi të bëjmë me një përshkrim gjenial të ambienteve, njerëzve, gjërave etj…
Në vazhdim të tekstit, atë e përfshin nostalgjia për kohërat e bukura, për objektet, të cilat më s’i gjen në tokën e tij e cila kish degraduar ndjeshëm, më nuk i shihte syri kullat e Kohës së Mesme në Durrës, as kopshtet e bukura; Tirana e rinisë së tij kish pamje krejt tjetër, e cila e mallëngjen së tepërmi por nuk e befason.
Dhe më tutje, magjepset nga natyra e bukur shqiptare nga Dajti i lartë dhe madhështor, nga malet e Krujës, dhe shumë brigje e male tjera të cilat gërshetojnë më vete të gjitha ngjyrat.
Kështu dalim te pjesa e dytë e tekstit që titullohet Mbreti, ku Konica sikur bën thyerjen e madhe, sepse flet me nota sublime për Mbretin Zog, duke filluar nga takimet e tyre të hershme në Romë, pastaj vajtjet e tyre nëpër koncertet klasike në Vjenë, ku kishin dëgjuar simfonitë e njohura të Betovenit e Moxartit.
Pastaj vjen përshkrimi i shëndetit të Mbretit, për të cilin Konica thotë se do ta kishte zili çdo njeri. Ai madje akuzon kundërshtarët e tij që flasin e shkruajnë se gjoja Mbreti qe i sëmurë, duke ua bërë me dije të kundërtën; se Mbreti është më i shëndoshë se kurrë, dhe i gatshëm për detyrat madhore ndaj Shqipërisë.
Kah fundi i pjesës së dytë, Konica shkruan për Mbretin Zog se: sikur të vejë gjithçka mbarë, Mbreti do të shtjerë në histori një hije më të madhe se hija e Skënderbeut dhe më pas, mbas kësaj fillon të shfaqet Konica që jemi mësuar ta shohim zakonisht; duke kritikuar dhe thumbuar. Këtë nis ta bëjnë pjesën e tretë kur shkruan për ata, që ai i quan Ekspertë.
Këtu fillon shpata e sarkazmës koniciane, dhe tallja e tij e pamëshirshme me disa tipa që ai i quan ekspertë, e të cilët në masë të madhe e kishin vërshuar gjithë vendin.
Prapë ka lëvdata për Monarkinë e Zogut, e cila kish bërë disa ndryshime rrënjësore sipas tij në vend, por këta ekspertë ishin më të patundur se Dajti, më të fortë se Tomori!, të cilët i emëron si racë prej tutkalli.
Sarkazma e tij nis me shkrimet nëpër gazeta të këtyre Ekspertëve që e bëjnë Shqipërinë kudo objekt talljeje, për shkak të huqeve, injorancës dhe snobizmit të tyre.
Sipas Konicës, këto tru të pazhvilluara i shfaqin haptas marrëzitë e tyre dhe madje edhe i botojnë nëpër gazeta të ndryshme duke i shkaktuar vendit dëm të madh edhe në arenën ndërkombëtare.
Ekspertët janë ata që s’kanë kapacitet intelektual, por që çuditërisht kanë hapësirë për t’i shprehur marrëzitë e tyre, madje të njëjtit tentojnë t’i bëjnë dëm edhe Mbretit gjenial, siç e quan Konica, duke dashur t’i krijojnë atij imazh të keq para botës së qytetëruar.
Por, këta ekspertë nuk janë armiqtë e vetëm të Shqipërisë; Konica paraqet një sojë tjetër të cilët i quan Robotët apo njerëzit-makina.
Robotët, janë ata që shkaktojnë kaos të madh në jetën institucionale në Shqipëri, pasi që të njëjtit nuk e kanë fare ndjenjën e përgjegjësisë dhe punojnë ashtu siç iu teket. Këta tipa, vendosin rregulla absurde sipas Konicës; rregulla krejt të panevojshme, të cilat s’vlejnë për asgjë veçse për ta vështirësuar jetën.
Ata janë të pazotë për të gjykuar vetë dhe për të marrë masat e nevojshme, por rrinë në një vend palëvizur, ose edhe kur bëjnë lëvizje, ato i bëjnë pa asnjë kuptim fare, ata ende punojnë me sisteme të vjetruara, të cilave bota e civilizuar medoemos kërkon t’iu ikë…
Në mbyllje e sipër të kësaj pjese, Konica na tregon se arritëm te shtresa më e rrezikshme e kombit shqiptar tek ata që ai i quan Levantinët apo Njerëzit e çkombëzuar.
Levantinët sipas Konicës, s’janë gjë tjetër veçse ca tipa që çdo gjë e vjetër shqiptare, u duket e poshtër dhe qesharake. Kështu ata shëmbëllejnë me njerëz gjysmë të egër, ata janë të prirur të vlerësojnë çdo gjë të paçmuar, qoftë edhe zërin e gozhdës të hasur në sharrë krahas zërit të ëmbël të violinës lozur nga ndonjë violinist i madh. Pra, këta Levantinët kanë besim se gjithçka që është e huaj është më e mirë dhe më e lartë se ata. Gjërat që kudo nënvlerësohen, te Levantinët lëre që s’flaken tutje por madje edhe përkrahen.
Më vonë gjatë tekstit, Konica bën një krahasim interesant me personazhin e Calibanit nga drama e Shekspirit Furtuna. Personazhi i Calibanit, është në gjendje t’i bie në gjunjë, t’ia puth këpucët, ta konsideroj Perëndi, e të bëhet skllav i njërit që i ofron atij të pijë. Por, thotë Konica, ky personazh është pjellë e Shekspirit dhe qëndron vetëm në letrat e pavdekura të tij, për t’i zbavitur njerëzit derisa Levantinët të njëjtë me Calibanin, janë të gjallë dhe për fat të zi i bëjnë dëm kombit shqiptar.
Levantinizmin ai e sheh si një sëmundje tejet të rrezikshme për shqiptarët, së cilës do t’ia gjej burimin. Dhe e gjen; ata, para së gjithash janë imitues të dobët të gjithçkaje të huaj, edhe kur është e pavlefshme; shembullin që ata e ndjekin është i çuditshëm!
Ata përpiqen ta arrijnë idealin e berberëve të Bejollit të Stambollit, të cilët i marrin si heronjtë e qytetarisë ideale derisa të tjerët adhurojnë heronjtë e mendjes si Sokratin apo Abraham Linkolnin.
Kah fundi i udhëpërshkrimit, Konica, tregon për një udhëtim drejt Bostonit që kish bërë me At Gjergj Fishtën, ky i fundit ish i mendimit se në Shqipëri nuk ishin vetëm disa levantinë, por levantina kishte nëpër qytete, kishte kudo anembanë Shqipërisë. Dhe se rreziku i madh ishte pikërisht këtu.
Levantinët s’qenë një grup qesharakë, por një turmë që sa vete e shtohej, dhe kishte objektiv pakësimin e një shoqërie rrënjësore…
Këta levantinë, kishin gjithashtu një urrejtje për veshjen kombëtare të cilën Konica e donte aq shumë saqë doli me të nëpër rrugët e Bostonit të Amerikës, për ta takuar Nolin. Por, levantinët janë të bindur se çdo kapelë e vendosur mbi kokë është orientale, përveç kapellos.
Këtu, Konica tallet me injorancën e tyre për muzetë, librat duke i quajtur njerëz me tru të pagdhendur, të cilët kurrë s’e kishin parë muzeun Albertina në Vjenë, ku ishte vepra e artistit të madh gjerman Albreht Dyrer, në të cilën shfaqej babai i tij që mbante takije, e cila shëmbëllente me takijen e Shqipërisë së Jugut në çdo pikë. Por berberët e Bejollit s’ia kishin fare haberin, dhe aq iu bënte për këtë. Ata, janë një turmë njerëzish të pastërvitur dhe të pa mend.
Faik Bej Konica, kishte stil të jashtëzakonshëm për të bërë ironi. Ai po ashtu pati të gjitha vetitë për të qenë estetë i shquar: kulturën filologjike-estetike, shijen e artit dhe mprehtësinë e gjykimit. Këto prova që i kemi nga ai dëshmojnë qartas këtë. Ironia, që ishte arma kryesore e tij, u përdor me mjeshtëri nga ai, dhe me takt.
Dhe te “Shqipëria si m’u duk” ai ia arrin këtij ideali, me përshkrimet mbi anadollakët, e lolot e qytetërimit evropian – Robotë e Levantinë, që përbëjnë një humor të shëndoshë; krejt kjo nga frymëzimi i Faikut për idealin kombëtar.
Por, padyshim në këtë tekst veç kësaj, vend të rëndësishëm zënë edhe inatet politike e pasionet e pezmatuara, kështu ironia zmadhohet dhe bëhet sarkazëm, siç ndodh rëndom nëpër tekstet e Konicës, qofshin ato letrare apo publicistike.