Me shumë interes do të ishte vite më vonë takimi i tyre me patër Gjergj Fishtën më 14 prill 1924. “Patër Gjergj Fishta”, shkruan autori, “u rrëfen Pittardëve për banorët shqiptarë të bjeshkëve të Hotit dhe të Grudës, të cilët ndarja e padrejtë e kufijve i la nën administrimin e Malit të Zi”. “Për t’i shpëtuar masakrave dhe reprezaljeve, qindra banorë të kësaj krahine”, vijoi të tregojë Gjergj Fishta, “kanë ardhur kohët e fundit si refugjatë në Shkodër për të kërkuar ndihmë dhe ushqim”. “Refugjatët”, vijoi ai, “janë të zhgënjyer, ngaqë kanë dëgjuar që në shpërndarjen e ndihmave ushqimore bëhen padrejtësi”.
Noëlle Roger (Helene Pittard) përshkruan në ditarin e saj skenën kur patër Gjergj Fishta po i shoqëronte ata kur po i shpërndanin këmisha një grupi refugjatësh. Papritur një grupi tjetër refugjatësh që nuk kishin mundur të merrnin këmisha, iu ishin errur sytë nga zemërimi në një shkallë të atillë, sa u nisën të sulmojnë dhe të përmbysin automobilin, brenda të cilit ndodheshin Eugene Pittard me bashkëshorten e tij. Mendimi i parë që i erdhi ndërmend vetëtimthi patër Gjergj Fishtës ishte të mbronte miqtë zviceranë dhe t’ia bënte të qartë turmës së papërmbajtur që miqtë e huaj mbrohen me jetë dhe se mund të kalonin vetëm mbi trupin e tij. Do të ishte patër Gjergj Fishta i cili do të dilte ballë për ballë turmës së yshtur nga urrejtja e verbër dhe në emër të atit, të birit dhe të shpirtit të shenjtë si dhe të gjenit të tij shqiptar do të bëhej barrikadë para tyre.
Duke shfletuar ditarin e Helene Pittardit (Noëlle Roger), dashur pa dashur njihemi me itinerarin e udhëtimeve që Eugene Pittardit me bashkëshorten e tij ka bërë në krahina të ndryshme të Shqipërisë së veriut. Që në ditët e para të qëndrimit në Shkodër, Pittardët vizituan fshatrat Kastrat, Boriç, Koplik, Hot, Prekal, Dukagjin.
Në datën 10 prill 1924, Pittardët lanë Shkodrën pas dhe u nisën në drejtim të Pukës për të verifikuar listat e banorëve në nevojë dhe për të shpërndarë ndihma ushqimore dhe veshmbathje. Rruga zgjatohej mes maleve në shtigje të rrezikshme, në buzë të humnerave, sa ishte e pamundur që të shkonin në Pukë me automobil. Ani pse pronari i Hotelit Evropa u tha Pittardëve se për të shkuar në Pukë duhej të llogarisnin 14 orë udhëtim me kalë, ata nuk u tërhoqën nga vendimi i tyre. Lumi Drin fatmirësisht nuk ishte përmbytur nga shirat e pranverës, kësisoj ata e kapërcyen lumin mbi shpinën e kuajve. Ftohja e motit dhe rënia e temperaturave e bëri të pamundur që Eugene Pittard me bashkëshorten e tij të vijonin udhëtimin në drejtim të Kukësit. Në kthim, ata e kaluan lumin Drin me varkë, pasi sipas udhërrëfyesit kalimi me kuaj ishte i pamundur për shkak të reshjeve të dendura.
Viti 1921 ka qenë për Helene Pittardin vit i mbresave të mëdha, veçanërisht në Shkodër, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Pogradec, e Kolonjë, ku ata u pritën me entuziazëm nga populli dhe politikanët shqiptarë. Me krijimin e Kryqit të Kuq Shqiptar, ashtu si Eugene Pittard, edhe Helene u zgjodh si kryetare Nderi e institucionit të ri shqiptar në ndihmë të popullatës. Po atë vit, gjatë udhëtimit në Korçë ajo u takua me gruan e Themistokli Gërmenjit, Evdhoksinë, e cila ishte kryetare e shoqatës së grave “Perlindja”. Madje, çifti Pittard pas kthimit të tyre, u lidh me një avokat francez që të rihapte gjyqin rreth dënimit të padrejtë të Themistokliut meqë disa gjyqtarë nuk kishin qenë dakord me këtë vendim të ashpër, bërë fill pas një letre të kryeministrit Venizellos drejtuar qeverisë franceze.
Viti 1924 ishte tepër i vështirë për çiftin Pittard. Shqipëria po përjetonte krizën e bukës, veçanërisht në veri për çka, dhe Helenës iu desh të udhëtojë me kalë drejt maleve të veriut për ditë të tëra, të shkojë në zonën e Dukagjinit, në Prekal, Gomsiqe etj., të cilat janë fiksuar në fotografitë e shumta të kësaj kohe. Në këto vite, Helene Pittard sensibilizoi në mënyrë të ndjeshme donacionet evropiane me të cilat bashkëpunonte, siç ishin dhe fondacioni Lady Carnavon, Këshilli i Britanisë së Madhe, fondi “Save the Children” në Londër si dhe Vatikanin. Në Shqipëri atë e shohim gjithnjë mes grave malësore duke shpërndarë misër, veshmbathje, ilaçe për të sëmurët. Në Shkodër ajo bëri porosi tek rrobaqepësit e qytetit për të qepur veshje dhe këmishë për të vobektit. Fotografitë e kësaj kohe janë vërtetë emocionante. Herë-herë, në vendet ku pushojnë një çast, duket figura e saj tek ka nxjerrë ditarin dhe shkruan mbresat e ditës.
Helene Pittard ishte një nga feministet e para dhe një humaniste e madhe, e ngjashme me Edith Durhamin. Si publiciste dhe shkrimtare ajo zgjodhi pseudonim emrin Noëlle Roger, çka lidhej me emrat e dy vëllezërve të saj. Veç 54 romaneve dhe novelave të saj, ajo shkroi edhe drama për teatër, siç ishte ndër të tjera dhe drama “Rrëmbimi i Evropës” i shfaqur në Gjenevë dhe Paris dhe që lidhej me legjendën e kohës antike. Emrin e saj e gjen gjithashtu në gazetat e ndryshme të këtyre viteve. Për gjithë veprimtarinë e saj ajo u nderua edhe nga Franca me Medaljen e Akademisë si dhe Legjionin e Nderit. Po kështu, u nderua dhe me çmime e medalje nga Rumania apo fondacione letrare e humaniste të Evropës. Për Shqipërinë ajo mbetet padyshim një figurë jo vetëm humaniste por dhe letrare që duhet zbuluar.