Shqipëria nënshkruan kontratën me ShBA-të për helikopterët ‘Black Hawk’
Në një ceremoni të veçantë, të zhvilluar në bazën ajrore të Farkës, ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim nënshkruan kontratën e pranimit për pajisjen e Forcës Ajrore shqiptare me helikopterë “Black Hawk”.
Helikopterët, asistencë e qeverisë së ShBA-së pritet të mbërrijnë së shpejti në Shqipëri dhe për ministren Xhaçka, ky kontribut rrit kapacitetet e Forcave të Armatosura shqiptare.
Postimi i plotë i ministres Xhaçka në llogarinë e saj në FB:
Krah për krah me aleatin tonë strategjik për fuqizimin dhe modernizimin e Forcave tona të Armatosura.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështetësi i Shqipërisë në momentet më kyçe të historisë treguan sërish se janë në krah të vendit tonë edhe në këto kohë të vështira të pandemisë.
Sot, me ambasadoren Yuri Kim nënshkruam kontratën e pranimit për pajisjen e Forcës Ajrore me helikopterë të tipit “Black Hawk”, financim i përbashkët i dy qeverive.
Helikopterët “Black Hawk” që shumë shpejt do të jenë pjesë e Forcës tonë Ajrore, investimi kolosal në Bazën e Kuçovës, sistemi i radarëve pas marrëveshjes me kompaninë amerikane Lockeed Martin, janë tregues se Forca Ajrore shqiptare dhe Forcat e Armatosura po ringrihen me hapa të sigurt.
(M.Q / Epoka e re)