Shqipëria nga janari do t’i ndihmojë Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut
Shqipëria nga 1 janari 2024 merr kryesimin njëvjeçar të Komisionit të Partneritetit të Kartës SHBA-Adriatike (A-5).
Gjatë ministerialit të A-5 që u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi se duhet të marrë fund bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në A-5.
“Anëtarësimi i Kosovës është tejet i vonuar. E kemi mbështetur plotësisht dhe tradicionalisht anëtarësimin e Kosovës në nismën tonë dhe na vjen shumë keq që ky anëtarësim vijon të jetë i bllokuar.
Gjatë kryesimit tonë do të angazhohemi me përparësi për ta zgjidhur këtë çështje sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.
Ministri Hasani, gjatë konferencës për shtyp për dorëzimin e kryesimit nga Maqedonia e Veriut te Shqipëria, vlerësoi rolin e Kartës A-5, në përpjekjet e vendeve të rajonit drejt integrimit të plotë euroatlantik.
“Kemi mbështetur konceptin e RMV për rigjallërimin e A-5 dhe synojmë ta çojmë atë më tej gjatë kryesimit tonë. Gjithashtu, do të përpiqemi ta përshtasim Kartën për të na shërbyer më së miri në formësimin e përgjigjeve të përbashkëta ndaj kërcënimeve dhe sfidave aktuale të sigurisë”, tha ai.
I pyetur për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ministri Hasani tha se “të dy vendet kanë kryer një punë të përbashkët të admirueshme dhe se rrugëtimi i rajonit në BE nuk duhet të pengohet nga pikëpyetje e paqartësi”.
Karta SHBA-Adriatike (US-Adriatic Charter) është një nismë politike sigurie me karakter rajonal, e dakordësuar paraprakisht në Samitin e NATO-s në Pragë (nëntor 2002), mes presidentëve të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe SHBA, për t’u zgjeruar më pas me Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën, e ku Kosova, Sllovenia dhe Serbia kanë statusin e vëzhguesit.