Shqipëria nis notë verbale ndaj Britanisë për gjuhën e përdorur ndaj migrantëve
Shqipëria i ka dorëzuar të hënën notë verbale Britanisë së Madhe, për retorikën e përdorur nga zyrtarë të lartë britanikë, të cilën Tirana zyrtare e ka cilësuar “gjuhë urrejtëse dhe diskriminim” ndaj emigrantëve shqiptarë.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, ka bërë të ditur se nota verbale i është dorëzuar ambasadorit britanik në Tiranë, Alaistar King Smith.
Ky reagim vjen pas deklaratës së ministrit britanik të Emigracionit, Robert Jenrick, i cili pak ditë më parë ka publikuar një video në “Twitter”, në të cilën ka theksuar se ka ndjekur personalisht momentet e dëbimit të disa shqiptarëve drejt Tiranës dhe i ka konsideruar disa prej tyre si kriminelë të rrezikshëm.
Xhaçka i është kundërpërgjigjur se është shokuar me këto deklarata, derisa gjuhën e përdorur nga ministri britanik e ka konsideruar si “linçim ndaj gjithë kombit”.
Ajo ka thënë se në notën verbale që i është dorëzuar ambasadorit britanik, theksohet se “kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit dypalësh, të konfirmuar në deklaratën e përbashkët mes kryeministrave Edi Rama dhe Rishi Sunak”.
Përmes këtij reagimi zyrtar kërkohet shmangia e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimi, si dhe vazhdimi i dialogut dhe bashkëpunimit mes dy vendeve për këtë dhe çështje tjera.
Pak kohë më parë edhe ministrja e Brendshme britanike, Suella Braverman, i pati cilësuar shqiptarët si “kriminelë”.
Ndaj kësaj deklarate pati reaguar kryeministri shqiptar, Edi Rama, si dhe qindra shqiptarë patën protestuar në Londër.
Emigrantët e paligjshëm janë kthyer në problem serioz për Britaninë, dhe sipas zyrtarëve në Londër, katër në 10 emigrantë të paligjshëm janë shqiptarë.
Dy vendet kanë arritur një marrëveshje për këtë gjë, në dhjetor të vitit të kaluar.
Palët janë pajtuar për krijimin e një task-force për të frenuar këtë fenomen dhe për të zbatuar disa masa konkrete për ri-integrimin e emigrantëve që do të kthehen në Shqipëri. /REL