Shqipëria, një ndër 4 vendet me numrin më të ulët të të sëmurëve nga Covid-19

01 maj 2020 | 21:39

Shqipëria, Ukraina, Bullgaria dhe Sllovakia janë vendet me numrin më të ulët të të sëmurëve nga “Corona-virusi” për frymë të popullsisë në Europë

Numri i të sëmurëve të evidencuar në raport me numrin e banorëve në vendet e Perëndimit, 5-6 herë më i lartë se ai i vendeve të rajonit ballkanik dhe të Lindjes.

Shtimi ditor i të prekurve të rinj në Europë, në rajon, në Shqipëri dhe në tërësi, edhe dje ishte në të njëjtin trend pozitiv.

Me përjashtim të Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë, në tërë vendet e rajonit janë raportuar rritje minimale të të sëmurëve të rinj.

Në shkallë botërore dje dolën të shëruar nga pandemia e “Coronavirusit” mbi 40 mijë të sëmurë.

Të shëruarit gjithsej dje kaluan mbi një milion, nga tre milion e treqind mijë të prekur gjithsej në Botë.

Për herë të parë tetë mijë të sëmurë më pak në terapi intensive në shkallë botërore.

(Relacion përmbledhës i ekspertëve të E-group-it ndërdisiplinar “Në ndjekje të pandemisë” të Akademisë së Shkencave për ditën e djeshme, 30 prill 2020: gjendja, kontrolli, prirjet dhe dukuritë që u dëshmuan në shkallë botërore, europiane, rajonale dhe në vendin tonë)

  1. Sipas të dhënave të ditës së djeshme, Ukraina, Shqipëria, Bullgaria dhe Sllovakia janë vendet me përhapjen më të ulët të pandemisë së shkaktuar nga “Corona-virusi” për frymë të popullsisë në Europë. Numri i të prekurve të detektuar nga ky virus për frymë të popullsisë në këto vende është rreth 250 vetë për një milion banorë. Ky tregues, në vendet e tjera të rajonit ballkanik dhe të Lindjes, shkon nga 250 deri 700 të prekur për një milion banorë. Ndërsa në vendet perëndimore treguesi luhatet nga 1.400 deri në 6.000, shifër mesatarisht 5-6 herë më e lartë.
  2. Referuar raportit të numrit të testeve të kryera për një rast të evidencuar me prekje nga “Corona-virus-i” prej shërbimit shëndetësor, për Shqipërinë ky tregues është një i sëmurë për çdo 10-11 teste. Në rajon ky raport luhatet nga një i prekur në çdo 9 teste në Serbi në një të sëmurë në rreth 30 teste në Greqi e Bullgari. Në vendet e mëdha europiane ky raport është: një i infektuar nga 4.6 teste në Francë dhe një në 15.6 teste në Gjermani. Në vendet e tjera raporti është nga 7 teste deri 30 teste për një rast të zbuluar.
  3. Shtimi ditor i të sëmurëve të rinj në tërësi në Europë, në rajon dhe në Shqipëri dje ka shenjuar një trend mjaft pozitiv. Në Europë numri i të sëmurëve pati një rritje ditore nën 2 për qind, kurse në katër vendet e mëdha të kontinentit (Francë, Spanjë, Itali dhe Gjermani) rritja ka qenë nga 0.5 deri në 1.15 për qind. Fazës së daljes nga pandemia i janë bashkuar tashmë edhe Franca e Rumania. Ndërsa Italia e Greqia njohën një numër rekord të shëruarish në ditë, duke forcuar trendin e daljes së tyre nga pandemia.
  4. Në rajon, përveç Bosnjes dhe Hercegovinës, ku treguesi i rritjes ditore të të sëmurëve gjatë dy ditëve të fundme është përkeqësuar, duke dëshmuar një rritje prej 4.77 për qind; si dhe Serbisë, që rishfaqi trendin e saj të mëparshëm, me një rritje prej rreth 3 për qind në ditë; në tërë vendet e tjera janë raportuar rritje minimale të të sëmurëve të rinj, në kufijtë nga 0.6 për qind deri në 1.6 për qind. Shqipëria dhe Kosova, duke vërtetuar një rritje ditore të numrit të të sëmurëve në masën prej vetëm 1 për qind, kanë vazhduar uljen e numrit të të sëmurëve faktikë, pra, procesin e fazës dalëse nga pandemia.
  5. Në shumicën e vendeve të Ballkanit numri i të shëruarve është rritur edhe në raport me numrin e të prekurve gjithsej. Në Shqipëri përqindja e tyre ndaj të sëmurëve në tërësi është ngjitur në kuotën 62.4 për qind (nga 61 për qind ditën e shkuar); në Mal të Zi – në 68 për qind (nga 64 për qind pardje). Në Greqi ky raport njohu një hop nga 22 për qind një ditë më parë në 53 për qind dje. Kurse Italia, fqinji ynë perëndimor, pati një rritje ditore nga 35 për qind në 37 për qind. Vendet më të avancuara për sa i takon raportit midis të shëruarve dhe të sëmurëve gjithsej: Gjermania ndër vendet e mëdha dhe Islanda, Luksemburgu, Austria dhe Zvicra, regjistrojnë gjegjësisht 76 për qind, 93 për qind, 85 për qind, 83.5 për qind dhe 78 për qind (numri i të shëruarve ndaj atij të të sëmurëve).
  6. Numri i të sëmurëve në shkallë botërore dje u rrit me 2.67 për qind (nga 2.6 një ditë më parë). Ndërkohë u regjistruan rreth 40 mijë të shëruar rishtas, çka solli uljen për herë të parë me mbi 8 mijë pacientë të numrit të të sëmurëve në terapi intensive. Paralelisht, numri i të shëruarve gjithsej kaloi qartazi mbi një milion, kundrejt tre milion e treqind mijë, që është numri i të prekurv!e gjithsej në Botë (në kufijtë një i shëruar në çdo tre të sëmurë gjithsej nga fillimi).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moti i ftohtë dhe temperaturat e ulëta na detyrojnë t’i…