Shqipëria nuk e kalon “pragun”, mbetet jashtë finales së Eurovisionit
Kënga “Sekret” e Ronela Hajatit ka mbetur jashtë finales së madhe së festivalit kontinental muzikor Eurovision Song Contest.
Dhjetë vendet, të cilat janë kualifikuar për natën e madhe të së shtunës, janë Zvicra, Armenia, Islanda, Lituania, Portugalia, Norvegjia, Greqia, Ukraina, Moldavia, Holanda.
Pavarësisht një performance elektrizuese në skenë nga këngëtarja shqiptare, votat e publikut dhe të jurisë nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta futur Shqipërinë në dhjetëshen e vendeve të para të kualifikuara për natën finale.
Një mbështetje e madhe nga publiku në sallë, i dha zemër e shpresë delegacionit shqiptar për një kualifikim të mundshëm, por kështu nuk ndodhi.
“Publiku ishte i shumtë. Ata brohorisnin emrin tim dhe kjo është gjithçka dua. Nuk po kuptoj asgjë!”, do të deklaronte këngëtarja shqiptare pasi u ngjit në skenën e Eurovision.
Nën tingujt e këngës së saj “Sekret”, Hajati bëri që i gjithë stadiumi të çohet në këmbë e të kërcejë nën ritmet shqiptare, teksa disa përshëndetje speciale në shqip nuk munguan nga artistja.
Aq më pak, nuk mund të mungonte flamuri shqiptar në vendin fqinj, ku u pikas disa herë nga kamerat e regjisë italiane.
Kënga shqiptare ishte edhe hapësja e gjithë festivalin, pasi garoi nën numrin një.
Por, fatkeqësisht, ajo nuk do të jetë edhe kënga e fundit, e cila do të luhet në Eurovision këtë vit!