Shqipëria pëson humbje nga Çekia
Shqipëria vijon momentin delikat në Ligën e Kombeve, duke pësuar një tjetër humbje këtë herë në Çeki.
Skuadra e drejtuar nga Sylvinho pësoi një disfatë 2-0 në “Epet Arena”, në një ndeshje të interpretuar aspak mirë.
Tifozët vendas ishin protagonist me episode të turpshme. Pas njërës prej portave, aty ku janë të vendosur tifozët ultras të Çekisë, 3 flamuj të Shqipërisë janë vendosur qëllimisht kokë poshtë, ndërsa ngjitur me ta është harta e Kosovës në flamurin e Serbisë.
Sa i përket ndeshjes, Çekia dominoi në 45 minutat e para, ndërkohë që golin e gjeti që në minutën e 3-të me Chory. Reagimi i Shqipërisë ishte vetëm me një goditje nga distanca e Bajramit.
Edhe në pjesën e dytë asgjë nuk ndryshoi. Vendasit gjetën një tjetër gol me Chory, i cili rezultoi si i sigurisë. Asllani dha iluzionin e një goli që u mohua nga një pritje fantastike e portierit vendas. Shqipëria mbetet vetëm me 3 pikë, dhe ka pak shanse që të dalë mirë në këtë grup në Ligën e Kombeve.