Shqipëria pëson humbje të thellë nga Polonia
Shqipëria pësoi humbje të thellë nga Polonia në Varshavë (4-1), në kuadër të eliminatoreve për Botëror. Polonia përfitoi nga turbullira e kuqezinjve dhe shënoi në minutën e 12 me Robert Lewandowskin, që iu vodh mirë mbrojtjes sonë në zhvillimet e një goditje dënimi, pas faullit të shkaktuar nga Hysaj.
Gjithsesi, djemtë kuqezi nuk u dorëzuan dhe shënuan me Sokol Cikalleshin në minutën e 25-të. Kavajasi mori shumë mirë një top të gjatë të Gjasulës dhe fitoi duelin me Glik dhe portierin, duke tundur rrjetën. Pas këtij goli, Shqipëria kishte edhe disa raste të tjera për të shënuar, por nuk i shfrytëzoi.
Ligji i futbollit na dënoi dhe Polonia rigjeti avantazhin me Adam Buksa, pas një goditje këndi. Kaq mjaftoi për të dorëzuar Shqipërinë dhe Polonia shënoi edhe dy gola në pjesën e dytë me Krychowiak dhe Linety, duke marrë tre pikë të rëndësishme.