Shqipëria pranon dronët Bayraktar, dërgohen në bazën e NATO-s në Kuçovë
Ushtria e Shqipërisë i ka pranuar tre dronë të prodhimit turk Bayraktar.
Marrëveshje për blerjen e një flote me dronë të tillë është nënshkruar në dhjetor të vitit 2022.
Ende nuk dihet se sa ka kushtuar blerja e njërit prej tyre.
“Dronët Bayraktar, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë janë në Shqipëri! Prej dy ditësh, ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre”, ka shkruar ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në Facebook.
Ai ka thënë se zotërimi i këtyre dronëve rrit aftësinë e mbrojtjes së Shqipërisë dhe është dëshmi e angazhimit për të garantuar sigurinë kombëtare.
Dronët Bayraktar janë vendosur në bazën e NATO-s në Kuçovë, e cila do të përurohet më 4 mars.