Shqipëria pret Gjeorgjinë, Reja paralajmëron fitore
Kombëtarja e Shqipërisë në futboll do ta presë Gjeorgjinë në “Air Albania” të martën në orën 18:00 për ta zhvilluar miqësoren e dytë, pas asaj që kuqezinjtë zhvilluan me Spanjën.
Në konferencën për shtyp për të folur për këtë takim ishte trajneri i kombëtares, Edi Reja, i cili ka thënë se Gjeorgjia është kundërshtare e vështirë dhe se mbrohet mirë.
Trajneri kuqezi ka paralajmëruar se pret ndeshje të mirë nga futbollistët kuqezi. “Sigurisht që Gjeorgjia është një kundërshtare krejt ndryshe, por kemi parasysh që është një skuadër që mbrohet mirë, vrapon shumë dhe është e rrezikshme në kundërsulm. E rëndësishme për ne është t’i shfrytëzojmë karakteristikat e lojtarëve që kemi dhe ta marrim maksimumin. Është shumë e rëndësishme të bëjmë një ndeshje teknikisht të përkryer, të jemi shumë të përqendruar në fushë, të bëjmë sa më pak gabime dhe të shfrytëzojmë sa më shumë raste dhe hapësirat që mund të na lërë Gjeorgjia në çaste të ndryshme të lojës”, ka thënë Reja.
“Djemtë tashmë e dinë dhe janë të qartë për mënyrën se si duhet ta interpretojnë këtë ndeshje dhe se si duhet të luajnë. Gjithsesi Spanja është i vetmi ekip në botë që ka këtë filozofi loje, një ekip që mund ta prekë topin për 50 herë dhe ti nuk e sheh fare. Gjeorgjia është ndryshe nga Spanja, por nuk është aspak një rivale më e dobët. Është një ekip i mirë dhe duhet të bëjmë një ndeshje të kujdesshme. Gjeorgjia ka pikat e forta dhe të dobëta, por për ne është e rëndësishme që të shfrytëzojmë çdo moment dhe të finalizojmë sa më mirë momentet që na paraqiten”, ka shtuar Reja, i cili më pas ka shtuar se ndeshjet miqësore për të kanë rëndësi të madhe.
“Për mua miqësoret janë si ndeshje zyrtare, janë po aq të rëndësishme. Shoh te djemtë një motivacion shumë të madh dhe nuk kam aspak frikë në këtë aspekt. Jam i kënaqur me lojën dhe besoj se do të shikoni një ndeshje shumë të mirë nga ana e Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë”, ka deklaruar Reja.