Shqipëria raporton sot 27 raste të të infektuarve me COVID
Në 24 orët e fundit rastet me koronavirus në Shqipëri janë shtuar. Nga 112 testime të bëra dje, 27 prej tyre kanë rezultuar pozitivë sot.
Në një deklaratë për media, zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se nga 2 031 testime në total, pozitiv kanë rezultuar 304 persona.
E gjatë 24 orëve të fundit 13 pacientë janë shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID 19 në 89.
“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar. 7 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Gjatë orëve të para të mëngjesit janë transportuar në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”, 3 paciente nga spitali Infektiv. Aktualisht në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, i cili do të ndjekë rastet e rënda me insufiçencë respiratore covid pozitiv, janë 4 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve në gjendje të rënduar (të intubuar). Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 81 pacientë”.