Shqipëria raporton viktimën e shtatë nga COVID-i
Shqipëria ka shënuar viktimën e shtatë nga koronavirusi.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë mbrëmjes së 26 marsit ndërroi jetë një paciente 85-vjeçare nga Tirana, e cila ka mbërritur gjatë pasdites në spitalin infektiv, në gjendje të rëndë.
“Pavarësisht prej përpjekjeve të stafit mjekësor për disa orë, 85-vjeçja nuk arriti të mbijetojë. E moshuara vuante nga disa sëmundje kronike dhe u konfirmua me COVID 19 në spitalin Infektiv”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
85-vjeçarja është viktima e shtatë e prekur nga COVID 19 në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerës dhe u bënë thirrje edhe një herë qytetarëve të jenë shumë të kujdesshëm në rast të shfaqjes së shenjave të sëmundjes dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare në numrin 127.