Shqipëria refuzon pjesëmarrjen në konferencën e Banjallukës, shkak Kosova
Shqipëria nuk do të marrë pjesë në Konferencën e ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor, që nis sot në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës.
“Report TV” ka raportuar se ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në këtë konferencë, që ka për tematikë “Ballkani Perëndimor dhe anëtarësimi në BE: bashkëpunim më i fuqishëm rajonal për një proces më të shpejtë të integrimit evropian”, organizuar me iniciativë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, parashikuar për t’u mbajtur më datë 23 shkurt, në Banjallukë.
Zëdhënësja e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edlira Prendi, ka bërë me dije se ministri Bushati ka informuar me një letër homologun e tij boshnjak Igor Crnadak.
Bushati ka shprehur keqardhjen e tij për mosrespektimin e formatit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ftesën e munguar për Kosovën, duke bërë me dije në këto kushte mospjesëmarrjen e tij në këtë takim.