
Shqipëria regjistron 36 raste të reja me Covid-19
Shqipëria ka regjistruar sot 36 raste të reja me koronavirus, , shifra më e lartë që nga nisja e epidemisë.
Rritja të ndjeshme shënoi dhe numri i të shtruarve në spital, si dhe ai atyre që janë në gjendje të rëndë.
Autoritetet kanë deklaruar se kjo situatë është pasojë e mosrespektimit të rregullave në kushtet e heqjes së masave shtrënguese.
Sërish, Tirana mbetet vatra kryesore, me shumicën dërrmuese të rasteve, 27 të tilla, ndërsa të tjerat janë të shpërndara në 5 qytete të ndryshme.
“Të gjitha këto raste janë shfaqje e mosrespektimit të shumë rregullave e them dhe një herë, të distancimit fizik apo të përgjegjshmërisë personale apo kolektive në lidhje me punëdhënësit apo punëmarrësit. Një pjesë e mirë e tyre janë kontakte të rasteve pozitive që tregon që gjurmimi në terren po kryhet në mënyrë të fuqishme, i cili do të vazhdojë dhe do të përforcohet në javët në vijim”, ka deklaruar Silva Bino, e cila drejton hetimin epidemiologjik në Institutin e Shëndetit Publik.
Shqetësuese është dhe rritja e të shtruarve në spitalin Infektiv ku ndodhen 41 pacientë, prej të cilëve 6 janë në terapi intensive dhe 2 të intubuar.
“Të gjitha këto tregojnë që Covid19 nuk është lehtësuar, nuk është një sëmundje e cila kalon lehtësisht. Një pjesë e mirë e rasteve të cilat janë identifikuar kanë shenja klinike dhe një pjesë e tyre kanë pasur nevojë për shtrim në spital”, bëri të ditur zonja Bino, duke përsëritur thirrjen për qytetarët për të qenë “të përgjegjshëm gjatë gjithë këtyre muajve në mënyrë që të mos humbim atë që e fituam me shumë mund”, ka thënë ajo.
(M.K / Epoka e re)