Shqipëria riatdhesoi 19 persona nga Siria

01 gusht 2021 | 13:20

Në Shqipëri, të dielën janë riatdhesuar 14 fëmijë dhe pesë gra, që gjendeshin në kampin Al-Hol në Siri.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që shoqëroi nga Libani deri në Shqipëri personat e kthyer nga Siria, tha se ky ishte një operacion i ndërlikuar, por që autoritetet do të vazhdojnë përpjekjet që të kthejnë edhe persona të tjerë.

“Është vërtetë një ngjarje pozitive dhe sigurisht që ne nuk do të ndalemi këtu. Ka edhe një operacion tjetër potencial për t’u zhvilluar, me një numër që ende nuk e dimë saktësisht sepse është një punë terreni për të gjetur personat në ato vrima të zeza ku gjenden. Por, llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin, në mos pak më i vogël”, tha Rama.

Ai shtoi se është i paqartë numri i qytetarëve të Shqipërisë që gjenden në Siri dhe Irak.

Rama po ashtu tha se kanë identifikuar dy persona, të cilët kanë refuzuar që të riatdhesohen dhe shtoi se tërheqja me forcë e personave që refuzojnë të kthehen, është “e pamundur”.

Kjo është hera e tretë që Shqipëria riatdheson qytetarët e saj nga vatrat e luftës. Në tetor të vitit të kaluar u riatdhesuan pesë persona dhe më pas u kthye edhe një fëmijë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tjetër rekord u vendos në ditën e nëntë të…