Shqipëria sa ishte në dijeni për lëvizjet e 11 marsit?
Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (4)
Shkruan: Bedri Islami
Prekja e çështjes së ‘letrarishtes’ shqipe nga shovinistët serbomëdhenj është bërë në kuadër të sulmit frontal, antishqiptar të qeverisë së Beogradit, pas demonstratave të marsit e prillit. Udhëheqja e Beogradit është bërë ‘pikë e helm’, mes të tjerash, edhe për një arsye, se “pse u lejua (!) unifikimi i shqipes, përkatësisht pse u lejuan shqiptarët në Jugosllavi ta zbatonin gjuhën letrare gjithëshqiptare”.
Gjithçka e ardhur nga Shqipëria duhej shembur. Plaku Tito, një politikan i regjur e dinak, ka vdekur. Si njeri i luftës, ai ishte i shkollës së Çurçullit, të cilit i dërgoi pranë djalin e tij. Ai kishte për qëllim të kombinonte shtypjen nacionale me idenë e progresit; ai nuk donte as një luftë krejt të hapur, e as vrasje krejt të mbyllura. Ai donte një turmë të destinuar që të shtypej dhe këto ishin shqiptarët, por edhe një masë aforme të gatshme për të vrarë, dhe këto ishin serbët. Ai donte të përdorte policin serb, por të vendosur nën kontrollin e oficerit jugosllav. Kur ai vdiq, e gjitha po kthehej në një shoshë. Kosova ishte hapja më e madhe dhe derdhja e idesë së tij të një bashkëjetese, ku vrasësi shpërblehej dhe i vrari dënohej, me kusht që i pari të jetë nga njëra prej 6 republikave jugosllave dhe, tjetri-i vrari- nga një krahinë, si ajo e Kosovës.
Në vitin 1981, ata që ishin pas tij vrapuan të drejtonin gishtin nga shteti shqiptar, duke ditur gjysmë të vërtetat dhe duke e kthyer gjithçka në një luftë të qëndrueshme dhe të përhapur në të gjitha viset.
Vuajtja, i ka edhe ajo disa virtyteve.
Kosova është një rebele e vjetër. Sa herë që kishte ngritur krye në shekujt e fundit, e kishte pasur me të drejtë, e nëse deri atëherë të gjitha kryengritjet kishin qenë me fryte të përkohshme, kjo e vitit 1981 kishte pasur në vete farën e vizioneve të ardhshme.
Azem Shkreli, poeti i njohur, që në vitin 1972, pra në mesoren e viteve pas protestave të vitit 1968 dhe kryengritjes së vitit 1981, i tregonte si vëllait të tij, Kadaresë: Kur isha i vogël, ngaqë familja ishte e varfër, pasi dilja nga shkolla, im atë më çonte të kullosja një lopë. Shpesh mbetesha vetëm me lopën në ndonjë faqe kodrine të butë. Vështroja përreth: asnjëri. Atëherë mendoja se ishte koha të bëja një gjë të ndaluar, një gjë tepër të dënueshme, diçka që ia kalonte mëkatit.
Ajo gjë e ndaluar, ai mëkat i dënueshëm ishte kthimi i kokës nga ai drejtim ku mendoja se ishin malet e Shqipërisë. Ti habitesh? Të duket me siguri një frikë e tepruar. Dhe në këtë rast ashtu është vërtet: një frikë e tepruar nga fantazia fëmijërore. Por, në thelb, ajo bazohej në një të vërtetë të madhe. Ishim aq shumë të tmerruar nga ato që kishim dëgjuar, nga vrasjet e fshehta, torturat, spiunët që gëlonin ngado, saqë mjaftonte që edhe kthimi i kokës nga drejtimi i tokës ku duhej të ishte vendi amë, do të përgjohej nga dikush, do të kallëzohej, do të shkaktonte tmerr.
Askush nuk e di me siguri se ku dhe nga kush filloi nata e parë e demonstratave të marsit 1981 në Kosovë, të cilat përmbytën rendin e gjërave.
Në dhjetëra biseda që kam pasur me protagonistë apo pjesëmarrës të natës së parë të protestës, pra në çastin kur po thyhej 11 marsi, gjithherë kam shënuar diçka të re, e cila, edhe pse nuk ndryshonte shumë nga të tjerat, përsëri kishte diçka që nuk e kisha takuar diku tjetër.
Është një enigmë e përhapur në disa variante dhe, gjithsecili prej tyre ka një fillesë: nuk kishte asnjë lidhje me kërkesat e zakonshme studentore të cilat u dëgjuan natën e parë dhe, po ashtu, si nuk ishin të organizuar nga jashtë, nuk ishin edhe aq spontane sa dukeshin.
Ndoshta, e gjithë kjo, pasi kishte pasur disa qendra njëherësh, të cilat ishin bashkuar më pas dhe, kur gjërat kishin nisur të qetësoheshin, njerëzit e kishin parë se kishte pasur disa burime njëherësh, dhe, si të tilla, edhe disa fillesa.
Dikush kishte përplasur i pari duart mbi tavolinë dhe kishte bërtitur: “Mjaft më! Çfarë është e tepërt, është e tepërt”, dhe në kohën kur të rinjtë studentë kishin nisur të mbushnin sheshin kryesor në mjediset universitare, kishte parë se edhe përreth kishte nisur e njëjta lëvizje.
Kadare kishte shkruar më pas, disa muaj më pas, se këto të rinj ishin ngritur për republikën e tyre dhe ishin shtypur si në monarki,por shtypja kishte qenë edhe më herët e pranishme, e pushtetshme dhe e dhunshme, si çdo gjë që vendoset përmes armës.
Po Shqipëria?
* * *
O perëndi, mos e ndotni botën e ëndrrave të vitit 1981 me dallaveret e kohës! / Ukshin Hoti
Në mëngjesin e 5 prillit 1981, në tryezën e punës së Enver Hoxhës, në selinë masive të Komitetit Qendror, sekretari i tij i përhershëm, Haxhi Kroi vendosi dokumentet e ditës, ata që vinin zakonisht nga të gjitha institucionet kryesore dhe, në të majtë, lajmet speciale të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, të cilat shkurt quheshin ‘agjancat’.
Këto të fundit përmbanin lajme që nuk ishin për publikun e gjerë. Si një ritual sekret, ata, ndoshta më shumë se gjithçka tjetër, tregonin afërsinë e njerëzve me pushtetin. Nuk ishin të gjitha njëlloj: ata kishin veçantinë e tyre për nivele të ndryshme. Sa më i detajuar të ishte Buletini i Lajmeve të ATSh-së që merrje, aq më i besuar do të ishe dhe aq më e lartë ishte pozita jote. Për anëtarët e Byrosë Politike dhe sekretarët e KQ materiali ishte më i plotë, më i detajuar; aty jepeshin edhe artikuj apo relacione që ishin jo dashamirës ndaj shtetit shqiptar, për të mos thënë, se e denigronin atë apo thjeshtë dëshmonin disa të vërteta, të ditura, por të ndaluara për t’u ditur. Çasti, kur buletini vinte e shkurtohej ishte i njëkohshëm me çastin e rënies tënde. Kur Buletini ndalohej, atëherë kishe rënë, pritej vetëm fundi.
Sekretari personal, i heshtur si gjithnjë dhe i përpiktë në gjithçka, kishte shënuar me një ngjyrë të kuqërremtë, të gjitha lajmet e agjencive më të njohura të botës për ngjarjet në Kosovë. Në fakt, ngjyra e vendosur në letër, dukej si vijëz gjaku.
Sapo ishte larguar Sekretari i Komitetit Qendror për Propagandën, që befas, në vitet e fundit, sidomos pas vdekjes së beftë të Hysni Kapos, ishte bërë i përhershëm në zyrën e shefit të madh. I qetë në pamjen e tij, me jakën e bardhë të këmishës vendosur zakonisht mbi jakën e xhaketës dhe folës i kujdesshëm, duke i zgjedhur fjalët me kujdesin e natyrshëm të njeriut që e di se nga fjalët mund të vinte e keqja më e madhe,i cili,jo shumë kohë më parë, kishte kaluar nëpër kalvarin e vitit 1974, kur shefi i qeverisë kishte kërkuar haptas kokën e tij, dhe ai i kishte dhënë ato të dy miqve të vjetër, Paçramit dhe Lubonjës. Ai i kishte thënë sekretarit personal të Enver Hoxhës që ditarin e ditës ta linte të hapur, pikërisht aty ku ishin faqet e nënvizuara.
– Çfarë do të bëjmë për Kosovën?, – e kishte pyetur tri net më parë Enver Hoxha, kur befas, në pragun e mesnatës së dy prillit, e kishte thirrur me urgjencë në vilën e tij.
Ai e kishte ditur përse e kishte thirrur. Nga brenda vilës telefonata lajmëruese ishte bërë nga gruaja e shefit të madh dhe i kishte treguar se çfarë mund të bisedohej.
Megjithatë, Ramiz Alia, që e kishte njohur Kosovën kur kishte qenë atje gjatë luftës, si komisari më i ri i një divizioni partizan, në fillim kishte heshtur. Nuk kishte qenë më në Kosovë. Shumë vite e ndanin atë prej ditëve të luftës e, megjithatë, ajo që kishte ndodhur kishte qenë e beftë, e vrullshme, e pazakontë dhe, si duket, askush tjetër, veç atij që e kishte thirrur, nuk e dinte se cili kishte qenë fillimi i saj. As kryeministri nuk e kishte ditur. Kur e kuptoi se heshtja e gjatë do i kthehej pas dhe se,megjithëse i përkëdhelur, mund të ndeshej në zemërimin e shefit, i tha se duhej përballuar gjithçka përmes institucioneve dhe figurave të shquara.
Tjetri përballë, ulur në karrigen e lartë, duke shikuar nga dritaret e mëdha që binin nga rruga kryesore e Bulevardit të Madh, i kishte thënë se kjo nuk ishte e mjaftueshme. Ai ishte i pari që e kishte kapur momentin për të kthyer vëmendjen e shtetit ndaj një ngjarje që do e bënte të harronte hallet e brendshme dhe do të rriste mbështetjen.
– Jo, – i tha ai, – nuk do të bëjmë lojë lapanjozësh. Do të dalim hapur. Të tjerët do të vijnë pas nesh. Do ia nisim nga heroikja për të shkuar drejt të drejtës historike. Do të jemi epikë për të na kuptuar. Nuk do të ketë gjysma. Asnjë gjysmë, sado të bashkohet me një tjetër, nuk përbën të tërën. Ne do u japim të tërën, gjithë shtetin, gjithë mekanizmin tonë.
Pastaj ai i ra ziles dhe i tha shkurt sekretarit të tij: “Më thirr kryemnistrin. Të vijë menjëherë!”. Kur Sekretari i Propagandës deshi të largohej, ai i bëri shenjë me dorë të rrinte dhe i drejtoi disa letra të bardha, ku, me germa të mëdha, ishin shkruar disa teza për një artikull të mundshëm.
– Shikoji njëherë. Unë do të dal me një artikull. Të fillojë nga maja.
Sekretarit i bëri përshtypje titulli, “Përse u përdor dhuna dhe tanket policore në Kosovë?”
Mjaftonte vetëm kjo. Lufta po rindizej. Do të ishte e gjatë, e dhimbshme dhe, si herë të tjera, do të kërkonte kurbanin e saj edhe në Shqipëri.
Cili do të ishte? Ai vetë, megjithëse i lindur në Shkodër, ku familja e tij kishte disa breza, për më tepër në të njëjtën banesë ku dikur kishte lindur edhe Oso Kuka, kishte origjinë boshnjake. Të ishte ai kurbani i së ardhmes? Për më tepër këmba e tij kishte shkelur në Jugosllavi dhe shefi i madh ishte tejet ‘alergjik’ ndaj gjithçkaje që kishte lidhje me atë vend. Që nga viti 1948, pas Plenumit të Tetë, të cilin, më pas, vetë ai e kishte quajtur ‘Plenumi i Zi’, dhe pas revizionimit të tij ishin dënuar disa nga përçuesit e Plenumit, që, ose kishin pasur lidhje të forta me Mugoshën, edhe atë Dushan, ose kishin një fill origjine vllahe, ose ishin treguar më entuziastë se duhet kur kishim qenë gjysmë vëllezër me jugosllavët, alergjia e shefit ishte rritur përbindshëm.
Për derisa, veç tij, ishte thirrur edhe shefi i qeverisë, i njohur si mik i afërt i Mugoshës gjatë luftës, të cilit i kishte shkruar një letër pasionante kur Dushani ishte larguar, pasuar nga një e tillë edhe prej gruas së kryeministrit, atëherë kurbani do të ishte njëri prej tyre.
Të tjerë nuk kishte. Gjysma e anëtarëve të Byrosë Politike ishin nën tokë, gjysma tjetër ishte përzgjedhur nga vetë ai, duke pritur pikërisht këtë ditë, kur shefi i madh do të zgjidhte kurbanin e radhës.
Rregulloi jakën e xhaketës dhe qeshi lehtas me vete. Gjithnjë, njeriu që kupton i pari idenë e kurbanit, ka më shumë kohë për të përgatitur kundërgoditjen e tij. Do të priste deri në ditën kur, tjetri që po vinte, pasionant dhe shpërthyes, do të bënte gabimin e tij, dhe ai, ashtu qetësisht, gjithnjë bartës i enigmës, do të përkujdesej që të merrte rrokopujën, nga e cila nuk do të kthehej kurrë më.
Nuk i kishte pëlqyer kurrë të ishte shenjtor, e aq më pak kurban.
* * *
Shumë vite më vonë, në shtatorin e vitit 1992, kur e kam takuar për herë të parë dhe të fundit, Ramiz Alinë, në një takim disa orësh, që kishte vetëm një ndërprerje, ardhjen e Frederik Reshpjes, dhe vetë ai ishte në arrest shtëpiak, nuk e di se si ra fjala për ngjarjet e vitit 1981. Unë kisha bërë një shkrim për idenë e Berishës rreth bashkimit kombëtar dhe hyrjes së Shqipërisë në Paktin e Helsinkut, që përjashtonin njëra tjetrën, të paktën në atë kohë, dhe e pyeta nëse qeveria shqiptare e kishte ditur se çfarë do të ndodhte në marsin e vitit 1981.
Përgjigja e tij më është dukur gjithnjë e sinqertë.
– Jo, – tha ai, – për ne, anëtarët e Byrosë, ishte e befasishme. Askush nga ne nuk e priste që të ndodhte. Në të gjithë Kosovën, – shtoi ai, – sipas burimeve që kishim, ideja e Republikës kishte epërsi, kjo nuk kishte asnjë dyshim. Por cila republikë? Shqipëria ishte më shumë për një shtet të dytë në Ballkan, se sa për bashkimin në një shtet.
– Po Enver Hoxha e dinte se çfarë do të ndodhte?
– Nuk e di, – tha ai. – Por është e mundshme, sepse vetëm ai nuk u befasua. Dukej se e priste. Kur ndodhën lëvizjet e 11 marsit, ai tha të mos ngutemi për të marrë në mbrojtje ndodhitë. Është ende, tha ai, një lëvizje për kushtet e jetesës, të presim deri sa të kthehet në lëvizje politike. Dhe ai priti.
– Prandaj Shqipëria u vonua në përgjigjen e saj? – e pyeta, sepse kjo ishte dëgjuar menjëherë pas janarit të vitit 1991, sa herë që përmendej kryengritja në Kosovë.
– Nuk jemi vonuar, – më tha ai. – Jemi matur e kemi pritur. Demonstratat me karakter politik ndodhën më 26 mars, kur, për herë të parë, u artikuluan kërkesa politike. Më 1 dhe 2 prill ndodhën përleshjet e mëdha. Pak ditë më pas, ne ndezëm të gjitha makineritë. Për disa nga ne ishte e panjohur se kush qëndronte pas këtyre grupimeve dhe lëvizjeve, cilat ishin synimet dhe kush printe, deri kur erdhën informacionet e plota. Nuk ishte kohë e gjatë, sidomos po ta mendosh se kufiri ishte i mbyllur.
Unë u ktheva përsëri tek Enver Hoxha dhe e pyeta, edhe një herë, nëse ai kishte ditur më shumë se gjithë të tjerët.
– Po, – tha ai, – Enveri dinte më shumë se të gjithë ne.
– Rënia e Mehmet Shehut a kishte lidhje me Kosovën?
– Jo, – shtoi ftohtë ai dhe shkëlqimi humbi nga sytë e tij. (Vijon)