Shqipëria shënon 77-vjetorin e Konferencës së Pezës
Shqipëria ka shënuar sot 77-vjetorin e Konferencës së Pezës. Në këtë ceremoni, krahas presidentit Ilir Meta kanë marr pjese edhe zëvendëskryeministrit Erion Braçe, dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Në profilin e tij në “Facebook”, presidenti shqiptar ka shkruar se kjo konferencë për shqiptarët do të thotë bashkim, qëndresë, dhe besa-besë për shpëtimin e Shqipërisë.
Postimi i plotë i presidentit Meta:
Kujtuam sot me nderim, përulje e respekt të thellë 77-vjetorin e Konferencës së Pezës, ngjarjes historike të popullit shqiptar, që hodhi themelet e Luftës Antifashiste.
Pezë për shqiptarët do të thotë bashkim, qëndresë, dhe besa-besë për shpëtimin e Shqipërisë.
Peza është një amanet, për të lënë mënjanë antagonizmin dhe për t’u bashkuar pa dallim feje, krahine dhe ideje, për interesin kombëtar.
Sot objektivi ynë kombëtar është integrimi evropian i Shqipërisë. Ndaj është koha për të mos e vonuar këtë proces për shkak të antagonizmit politik të paprinciptë.
Është koha për të forcuar bashkëpunimin, duke kapërcyer me kurajo interesat e ngushta afatshkurtra, në mënyrë që e ardhmja evropiane e Shqipërisë të jetë sa më e shpejtë, sa më e prekshme dhe solide, sidomos për të rinjtë, dhe për fëmijët tanë.