Shqipëria sonte debuton në ‘Euro 2024’

15 qershor 2024 | 08:37

Kuqezinjtë shqiptarë sonte debutojnë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Gjermani. “Signal Iduna Park” do të jetë arenë e përballjes mes Shqipërisë dhe Italisë. Sot përballen edhe Spanja me Kroacinë dhe Hungaria me Zvicrën.

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll sonte (e shtunë) e fillon rrugëtimin në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Në “Signal Iduna Park” të Dortmundit, kuqezinjtë do të përballen me Italinë nga ora 21:00 në kuadër të Grupit B ku bëjnë pjesë edhe Spanja dhe Kroacia. Para kësaj ndeshje, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar se 50 mijë shqiptarë do të jenë të pranishëm në stadium dhe “Muri i Verdhë” i Borussias do të zëvendësohet për një natë nga “Dallga Kuqezi” e Shqipërisë.

“Shqipëria e ka fituar Evropianin e saj dhe s’ka më asgjë për të humbur, prandaj cilido qoftë rezultati i ndeshjes mbrëmja e nesërme do të mbetet jo vetëm në historinë e futbollit shqiptar, po edhe në kujtesën e 10 milionë shqiptarëve”, ka shkruar Rama.

Lidhur më kundërshtarin e parë në “Euro 2024”, trajneri Sylvinho ka deklaruar se Italia gjithmonë është një kundërshtar i fortë dhe se ndeshjet ndaj tyre janë gjithnjë motivuese për kundërshtarët. “Po flasim për kampionët e Evropës në fuqi, Italia është nga kombëtaret më të forta. E njëjta gjë mund të thuhet për Spanjën dhe Kroacinë. Është një grup i bukur për të gjithë ne, është mundësi që ta shijojmë këtë pjesëmarrje të dytë në Evropian, të provojmë të bëjmë më të mirën. E kemi ndjekur miqësoren e fundit të Italisë dhe kemi mbajtur shënimet e duhura. Të luash kundër Italisë është një motivim i madh. Edhe unë, kur isha me Brazilin më 1982, e kam parë ndeshjen Brazil-Itali. Brazili e humbi atë ndeshje. Nuk ka nevojë të luash në Serie A për të pasur motivimin e duhur, nuk ka rëndësi ku luan në Spanjë, Gjermani, Bundesligë apo Portugali. Italianët kanë një fanellë të rëndë dhe janë favoritë, për ne është e rëndësishme të përgatitemi mirë”, ka deklaruar Sylvinho.

Lidhur më këtë ndeshje ka folur edhe trajneri i Italisë, Luciano Spalletti, i cili e ka parashikuar si të vështirë ndeshjen e parë në Kampionatin Evropian ndaj Shqipërisë. Ai ka thënë se disa prej lojtarëve kuqezinj që luajnë në Seria A e dinë se kush është Italia, por beson se do t’i gëzojnë 60 milionë tifozë italianë.

“Emocioni nga pikëpamja ime është i madh, por me kalimin e orëve ky emocion bëhet fantastik dhe jo toksik. Jemi në një vend fantastik për të luajtur një ndeshje shumë të bukur. Ndeshja është e vështirë pasi Silvinjo i ka dhënë ekuilibër skuadrës së tij dhe do të luajmë kundër lojtarëve që njohin mirë kampionatin tonë. Ramadani, Asllani, Bajrami, Hysaj e dinë se kush jemi dhe do të jetë një ndeshje e vështirë. Është ë vërtetë që shpesh rezultatet janë ndryshe në krahasim me atë që merr me vete në shtëpi, por trajektoret e topit janë të vështira për t’u kuptuar, ose më mirë të themi të ndryshme nga vazhdimësia e ndeshjes. Ne duam të jemi gjithmonë një skuadër, të shprehim emblemën e futbollit tonë, po punojmë në këtë drejtim, por ka edhe kundërshtarë dhe jo gjithmonë ia del. Por unë jam i bindur se do të tregojmë gjithmonë futbollin që duam. Kjo nuk na siguron që mund të arrijmë rezultatin e plotë, por do të na dhurojë ndjesinë që jemi pjesë e një bashkësie. Jo vetëm të atyre që shkojnë në fushë, por edhe të 60 milionë tifozëve tanë”, ka thënë Spalletti.

Duhet cekur se ndeshja tjetër e këtij grupi mes Spanjës dhe Kroacisë zhvillohet nga ora 18:00, kurse paraprakisht nga ora 15:00 zhvillohet ndeshja e grupit A mes Hungarisë dhe Zvicrës.

GRUPI A

15:00 Hungari – Zvicra

GRUPI B

18:00 Spanjë – Kroaci
21:00 Itali – Shqipëri

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se 100 liderë, duke përfshirë zëvendëspresidenten e SHBA-së,…