Shqipëria synon masa të rrepta për siguri dhe krim të organizuar
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pas mbledhjes së qeverisë të martën, në një konferencë për media u deklarua për pesë vendimet dhe masat e marra nga qeveria për ndryshimet ligjore, sa i përket sigurisë dhe krimit të organizuar.
Ai tha se qeveria ka marrë iniciativë të forcojë sigurinë në shkolla, duke shtuar oficerë sigurie në 150 shkolla, duke siguruar një hallkë të munguar në funksion të mbrojtjes së fëmijëve nga hyrja në kanalet e lëndëve narkotike deri në funksion të parandalimit të fenomeneve të dhunës apo bullizmit.
“Kemi vendosur të nisim zbatimin e programit të ri për oficerët e sigurisë në shkollat e vendit. Fillimisht ky program u pilotua me rezultate të kënaqshme të konfirmuara nga komuniteti i mësuesve, nga komuniteti i prindërve dhe nga policia e shtetit. Nga 15 shkolla tani do të shtrihet në 150 shkolla – gjimnaze kryesisht, ku do të fillojnë punën menjëherë 150 oficerë sigurie të trajnuar enkas për këtë program”, ka bërë të ditur kryeministri.
Qeveria e Shqipërisë po ashtu ka vendosur të ndërmarrë një ndryshim ligjor për të dyshuarit apo për të dënuarit të përfshirë në krim të organizuar apo edhe organizata terroriste, të cilët do i nënshtrohen një regjimi të ri shumë të rreptë izolimi dhe monitorimi, duke iu ndërprerë çdo lloj komunikimi i brendshëm dhe i jashtëm për të gjithë kohën e paraburgimit dhe të vuajtjes së pjesës së dënimit.
Një masë tjetër sigurie që ka vendosur qeveria, është ngritja e një salle operative monitorimi non-stop me kamera në burgjet e sigurisë së lartë.
Kjo, tha kryeministri “garanton që burgjet janë vende dënimi, jo vende ku komandohet bota e krimit”.
Ligjit ekzistues që thotë se duke nisur nga data 31 dhjetor i këtij viti do të pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë elektronike, iu shtua ndryshimi i ri që përfshin edhe bastet sportive.
Kryeministri Rama tha se “në zbatim të ligjit ekzistues, që ndalon reklamimin e kompanive të basteve, dhe që është shkelur nga të gjitha mediat pa përjashtim, unë i paralajmëroj të gjithë që brenda 24 orëve të heqin të gjitha reklamat nga ekranet, nga radiot, nga gazetat apo nga portalet”.
Qeveria po ashtu ka nisur draftimin e një paketë ndryshimesh në Kodin Penal për “të fortët”. Rama tha se duke qenë se bëhet fjalë për ndryshime të Kodit Penal, këtë paketë do ta ndajnë me opozitën, ku i bëri thirrje të kthehet “nga bota e filmave në terrenin e përballjes reale me kriminalitetin”.
Megjithatë, Lulzim Basha, kryetar i partisë më të madhe opozitare të Shqipërisë, Partia Demokratike, tha se vendi ka Ligjin Anti-mafia që është në fuqi prej vitit 2008, por ai nuk vepron.
Ai shtoi se krimi në Shqipëri po inkurajohet dhe po motivohet duke thënë se “sot në Shqipëri nuk sundon forca e ligjit, por forca e krimit”.
“Kemi një shkatërrim total të organeve të zbatimit të ligjit. Të policisë dhe prokurorisë. Arsyeja kryesore është mungesa e vullnetit të qeverisë për të luftuar krimin. Kjo qeveri nuk ka vullnet për të luftuar krimin. Krimi tolerohet, lejohet dhe mbështete nga Edi Rama dhe gjithë struktura që ai drejton”, u shpreh Basha.
Vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për këto masa më të shtrënguara për luftimin e krimit të organizuar dhe shtimin e sigurisë në vend, vjen pak ditë pasi opozita e Shqipërisë përpiloi një “Paketë anti-mafia”, ku synojnë ndryshim në Ligjin anti-mafia.
Ndryshimet në këtë ligj, sipas tyre, janë kundër korrupsionit dhe oligarkisë. Qëllimi i kësaj pakete është goditja e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, mbrojtja e pasurisë publike dhe garantimi i konkurrencës së lirë.