Shqipëria thotë se do të kthejë në funksion industrinë e vjetër ushtarake
Shqipëria do të rijetësojë së shpejti industrinë e vjetër ushtarake. Kështu deklaroi ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, gjatë një interpelance në Kuvendin e Shqipërisë, e cila ishte thirrur nga kryetari i Komisionit për Sigurinë, Nasip Naço, i cili vjen nga radhët e Partisë Socialiste.
Peleshi theksoi se rivënia në funksion e industrisë së vjetër ushtarake ka lindur si nevojë pas ndryshimeve gjeopolitike. “Pas agresionit rus, situata gjeopolitike ka ndryshuar, arkitektura e sigurisë ka ndryshuar. Ne jemi në një periudhë ku paqja është më e kërcënuar se kurrë. Kjo situatë sfidoi bazën industriale globale të mbrojtjes – kërkesë e lartë për municione dhe sistem armatimesh”, tha Peleshi.
Ministri theksoi se me ndihmën e Agjencisë së Prokurimit Publik të NATO-s është hartuar një raport mbi gjendjen e objekteve të industrisë ushtarake në Shqipëri.
Sipas tij, ky raport i ka njoftuar edhe me nevojat që ka tregu. “Nga tetori i vitit 2022 kemi kërkuar bashkëpunimin e Agjencisë së Prokurimeve të NATO-s. I kërkuam të hartojë një raport, parafizibilitet, që të dimë se çfarë kemi, vlerën e asaj që kemi, linjat e prodhimit, por edhe se cilat janë kërkesat e tregut. Tashmë e dimë vlerën e aseteve, kërkesën globale dhe mund të orientohemi më mirë për të vendosur se çfarë game produktesh duhet të marrë mbështetje”, theksoi ministri Niko Peleshi, raporton REL.
Ministri shqiptar i Mbrojtjes tha se kjo kërkon disa ndryshime ligjore, në mënyrë që shteti shqiptar të përfitojë nga kjo industri. Peleshi tha se investitorë dhe kompani të huaja që synojnë prodhimin e armëve dhe municioneve, kanë treguar interes, ndërsa shtoi se Shqipëria synon të jetë partnere si aksionare në biznes dhe jo thjesht t’i japë ato me koncesion.
“Ndër vite ka pasur investitorë nga Turqia, Hungaria, Izraeli, Kroacia të cilëve u kemi dhënë mundësinë të njihen me këtë industri. Nuk kemi projekt të konkretizuar, po punojmë për ta ndryshuar qasjen edhe në kuptimin se si sillemi në raport me këto investime. Duam të ikim nga projekti ‘Shqipëria 1 euro’ dhe të shkojmë te Shqipëria partnere, aksionare, të marrim edhe dividentën si pronar i këtyre aseteve”, u shpreh ministri gjatë seancës parlamentare.
Interpelanca ishte thirrur nga deputeti socialist, kryetar i Komisionit për Sigurinë, Nasip Naço. Ai tha se përgatitja për këtë projekt duhet të jetë reale dhe se Shqipëria është e vonuar në këtë proces, pasi vende të tjera e kanë vënë në funksion këtë industri dhe po shesin municione.
“Nëse nuk bëhet, kjo është mungesë sigurie, cenon sigurinë kombëtare dhe ekonominë tonë. Është koha të viheni në dispozicion për ta vënë në punë industrinë ushtarake”, u shpreh Nasip Naço.
Një ditë më parë Qeveria e Shqipërisë miratoi një vendim për t’i paguar pagat e mbetura dhe sigurimet shoqërore për periudhën 2017-2023 për 131 ish-punonjësit e Kombinatit të Poliçanit. Naço tha se ky vendim është marrë shumë vonë dhe pretendoi se janë 241 punonjës që duhej të përfitonin dhe se do të jenë ata që do ta vënë në punë këtë industri.
Propozimin që në Shqipëri të prodhohen armë dhe municione, e bëri nga Tirana presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij më 29 shkurt.
Ndërsa, kryeministri Edi Rama shprehu ambicien që brenda vitit 2030 Shqipëria të
kryejë eksporte ushtarake të markës “Made in Albania”.
Në Kuçovë, më 4 mars, u përurua baza ajrore taktike e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), e para bazë e aleancës në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë bazë janë vendosur tre dronë të prodhimit turk Bayraktar.
Ndërkaq pak ditë më parë është publikuar edhe dokumenti mbi strategjinë e sigurisë kombëtare, që synon modernizimin e forcave të armatosura për t’ju përgjigjur sfidave të reja sigurisë.