Shqipëria tregon forcën në Budapest, Broja bën me krahë kuqezinjtë

09 tetor 2021 | 22:46

Një fitore me shije Botërori. Një Shqipëri e jashtëzakonshme tregon forcën në Budapest në një stadium të boshatisur duke triumfuar 1-0 sërish me Armando Brojën, ashtu si në ndeshjen e parë.

Në “Puskas Arena”, djemtë kuqezi na bëjnë krenar edhe pse përballen me fatin kundër, dëmtimet apo episode të pafatë.

Një lojë nervash, ishte pjesa e parë ku rastet janë të pakta, pothuajse asnjë goditje në portë nga të dyja ekipet por fatkeqësisht kuqezinjtë humbën Berat Gjimshitin për shkak dëmtimi.

Në minutën e 26’ në një krosim në zone, Berisha përplaset me Gjimshitin, përplasje fatale për kuqezinjtë tanë pasi humbasim mbrojtësin e padiskutueshëm të formacionit.

Pjesa e dytë nis shumë e rrezikshme për Hungarinë që janë shumë pranë golit pas një aksioni nga krahët dhe Salloi i vetëm në zonë e çon topin jashtë.

Kuqezinjtë shtojnë presionin dhe në 58 kanë rastin e artë me Myrto Uzunin i cili i vetëm përballë portierit nuk arrin të shënojë me topin që devijohet në korne.

Janë minuta të mira e pak momente më pas, Trashi me një gjuajtje nga jashtë zone për pak trondit traun.

Në minutën e 65’ humbasim një rast flagrant sërish me Myrto Uzinin i cili nga një kros i Trashit del i vetëm dhe me kokë e çon topin në duart e portierit, e pafalshme ajo që humbasim.

Dy minuta më pas, Reja zëvendëson të dy sulmuesit, Cikalleshi-Uzuni për Broja-Manaj dhe këto zëvendësime e shpërblejnë më së mirë edhe pse  në 68’ është Gjasula që me një gjuajtje nga jashtë zone, prek pothuajse shtyllën.

Në minutën e 74’ na ndihmon fati ku në një aksion të rrezikshëm Hungaria godet shtyllën dhe vendasit nuk kanë qenë kurrë kaq pranë golit në këtë sfidë.

Fati nuk do të na ecë kundër gjithmonë pasi në 80’, Broja nxjerr një tjetër perlë nga repertori i tij nga e djathta duke shmangur mbrojtjen dhe me një të djathtë të fortë çan rrjetën.

Minutat e fundit kanë emocione por Shqipëria largohet me 3 pikë nga Hungaria dhe me vendin e dytë të blinduar./Ora News/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari aktual i Kamenicës dhe njëherësh kandidat edhe për një…