
Shqipëria turistike i flet botës si vend nderi në panairin e Berlinit
Shqipëria turistike i flet botës nga Berlini, me krenarinë e vendit të nderit në panairin më të madh global të turizmit IBT.
Përfaqësuesit i ITB Berlin, organizues i panairit, Mario Tobias u shpreh në hapje të panairit (3 mars) se ndjehet krenar për këtë partneritet me Shqipërinë.
Ai u shprehu mirënjohjen për mikpritjen vitin e shkuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
“Bota e udhëtimit jeton këtu, askund tjetër! Dua të veçoj Shqipërinë, vendi pritës i 2025-ës. Jam shumë entuziast që është vendi mikpritës këtë vit. Përgjatë kësaj mbrëmjeje do t’ju marr me vete në një udhëtim mahnitës drejt këtij destinacioni tërheqës. Shqipëria ka pasur një prani të fortë në ITB për shumë e shumë vite, jemi krenarë që kemi një partneritet afatgjatë. Programi i sotëm premton që të mos jetë më pak se sa spektakolar dhe mezi pres që të shihni edhe më shumë”, tha ai.
Pas fjalimeve në ceremoninë e hapjes në CityCube Berlinu prezantua një vitrinë magjepsëse të pasurive kulturore të Shqipërisë nën sloganin “All Senses” (të gjitha ndjesitë).
Elementet kryesorë të prezantimit të Shqipërisë përfshinë një udhëtim kinematografik nëpër Shqipëri, performanca live me “Shkodra Elektronike” – përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision 2025 –, muzikë tradicionale të njohur nga UNESCO dhe performanca të vallëzimeve tradicionale shqiptare nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve.
Pas ceremonisë, të ftuarit shijuan specialitetet shqiptare të kulinarisë.
Shqipëria si vendi i nderit i ITB Berlin 2025 prezanton evente, diskutime dhe përvoja gjithëpërfshirëse nën sloganin “All Senses” në panairin që nisën të hënën e 3 marsit dhe përfundojnë të enjten, më 6 mars.
Shqipëria do të prezantojë trashëgiminë e saj të pasur natyrore e kulturore në tre ditët e këtij panairi global të turizmit.
Nën sloganin “Albania All Senses”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë do të prezantojë buqetën e ofertave turistike të vendit nga data 4 deri më 6 mars 2025.
Përmes një agjende të pasur, Shqipëria do të përpiqet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e këtij panairi t’i bashkohen një udhëtimi gjithëpërfshirës përmes larmisë së ofertave, një programi të zgjeruar eventesh, performancash dhe aktivitetesh.