Shqipëria U17 barazon ndaj Uellsit në eliminatoret e Kampionatit Evropian

26 tetor 2022 | 16:45

Shqipëria U-17 ka mbyllur të mërkurën me sfidën ndaj Uellsit U-17 ndeshjet e grupit 7 në eliminatoret e Evropianit 2023, që është luajtur në Kroaci.

Ndeshja ka përfunduar në barazim 0-0, ku Kombëtarja shqiptare që renditet në vendin e tretë dhe ka ende shanse të kalojë në “Elite Round” si një nga vendet e treta më të mira të grupeve.

Shqipëria U-17 e ka nisur sfidën me këtë formacion: Amarildo Dervishi, Ernesto Bakiu, Adi Kurti, Alion Damini, Jordi Jaku, Glenis Belloj, Flavio Sulejmani, Ersi Bode, Ergi Bastari, Dean Vranici dhe Davide Avdullari.

Sfida është e luftuar që në start me Shqipërinë që mbrohet mirë dhe përpiqet herë pas here të kapë në befasi Uellsin, që është edhe skuadra më e fortë e grupit. Rasti më i rëndësishëm i pjesës së parë është ai i Flavio Sulejmanit, i cili rrëzohet në zonë pas një ndërhyrjeje, por gjyqtari nuk akordon penallti, transmeton lajmi.net.

Kjo ka sjellë edhe protestat e sulmuesit shqiptar ndaj gjyqtarit, i cili e ndëshkon me karton të verdhë Sulejmanin. Pavarësisht përpjekjeve pjesa e parë mbyllet pa gola dhe rezultati nuk zhbllokohet.

Edhe në pjesën e dytë Kombëtarja U-17 ka vazhduar të kërkojë golin, pasi një fitore do ta çonte direkt përfaqësuesen kuqezi në “Elite Round”, ose më saktë në finalet e Evropianit, që do të ishte një sukses historik për futbollin shqiptar.

Shqipëria U-17 e ka mbyllur grupin në vendin e tretë me 4 pikë, po aq sa Kroacia e vendit të dytë, që ka avantazhin e fitores në ndeshjen direkte. Në krye të grupit renditet pikërisht Uellsi me 5 pikë, që kalon në fazën tjetër së bashku me Kroacinë. E fundit renditet Suedia me 2 pikë.

Rrugëtimi i Kombëtares U-17 në këtë edicion ka qenë pozitiv pasi ka arritur të merrte një fitore (3-1) në ndeshjen e parë më Suedinë dhe në ndeshjen e dytë ishte e pafat me atë humbje në sekondat e fundit (1-0) me Kroacinë. Gjithsesi, shanset për të kaluar në finalet e Evropianit janë ende reale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me qëllim të familjarizimit me pajisjet për siguri dhe shëndetin…