Shqipëria U21 pëson humbje nga Zvicra
Shqipëria U-21 zhvilloi sot sfidën e radhës ndaj Zvicrës U-21 e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian 2025 për këtë grupmoshë.
Takimi i luajtur në stadiumin “Air Albania” përfundoi me fitoren e Zvicrës 3-1.
Ndeshja nisi me Shqipërinë më kërkuese që provoi të ushtrojë presion që në fillim.
Me kalimin e minutave loja ishte e balancuar, ndërsa Zvicra mori avantazhin në të 29-ën me Surdez që shënoi nga goditja dënimit.
Në fundin e pjesës së parë Shqipëria ishte shumë pranë golit me kapitenin Medon Berisha, por gjuajtja me kokë përfundoi jashtë.
Kaq mjaftoi për pjesën e parë, ndërsa pjesa e dytë nisi me dy ndryshime për kuqezinjtë. Në fushën e lojës u aktivizuan Ermis Selimaj dhe Stiven Shpendi.
Zvicra realizoi edhe golin e dytë në të 59-ën me Sanches i cili u tregua i saktë nga brenda zonës. Në vijim Shqipëria u mundua të reagonte dhe pati disa raste të mira me Frrokun dhe Shpendin por pa sukses.
Zvicra shënoi edhe golin e tretë në minutën e 76-të me Aaron Keller. Lojtarët kuqezi insistuan deri në fund për të gjetur rrugën e rrjetës dhe ja dolën mbanë me Stiven Shpendin. Në fund takimi u mbyll 3-1 për Zvicrën U-21.