Shqipëria, vendi i parë në rajon për studentët që largohen
Drejtues i qendrës së studimeve ekonomike dhe sociale Ilir Gëdeshi tha se krahasuar me rajonin, Shqipëria mban vendin e parë për studentët që largohen.
Ai u shpreh për “Mirëmëngjes” në Euronews Albania se është kryesisht cilësia e ulët e arsimit që i shtyn të largohen. Sipas Gëdeshit kjo është diçka e mirë nëse bëhet fjalë për rritjen e kapacitetit dhe cilësisë në arsim sepse studentët që largohen shkojnë në universitete më të mira, por studimet tregojnë se 93% e tyre nuk dëshirojnë të kthehen.
Një tjetër arsye largimi sipas ekspertit është dhe tregu më i gjerë i punës që i pret në Evropë.
“Këtu në Shqipëri ka një problem për ata që përfundojnë studimet këtu, ka një mospërputhje me tregun e punës”, u shpreh Gëdeshi.
Ndërkohë, vendi evropian që lakmohet më shumë nga studentët së fundmi është Gjermania./euronews